Subvencionimi i normës së interesit për blerjen e një banese, Ibrahimaj: Po bashkëpunojmë me bankat
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj theksoi edhe një herë rëndësinë që ka blerja e një banese për familjet e reja, ku theksoi se mbështetja e qeverisë do të ndihmojë në realizimin e kësaj dëshire.
Në një postim në rrjetin social, Ibrahimaj tha se qeveria është në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë për të konkretizuar planin e qeverisë për subvencionimin e e interesit për banesa deri në 6 milionë lekë të reja dhe 3% të normës së interesit për kredi deri në 20 milionë lekë të reja.
“Blerja e një banese duhet të jetë një mundësi e arritshme për familjet shqiptare.
Me përfaqësuesit e sektorit bankar nisëm konsultimet për zbatimin e dy skemave të kreditimit të lehtësuar për strehimin, të parashikuara për vitin 2027:
🔹 Kredi deri në 6 milionë lekë, me interes 0%, të subvencionuar plotësisht nga qeveria.
🔹 Kredi deri në 20 milionë lekë, me interes 3% për përfituesit.
Diskutuam gjithashtu mundësinë e eliminimit të detyrimit për parapagim, lehtësimin e kushteve të kolateralit dhe procedurave të kreditimit.
Në bashkëpunim me bankat, po punojmë për të konkretizuar këto instrumente financiare, duke lehtësuar aksesin e qytetarëve në financim për blerjen e banesës së tyre”, tha Ibrahimaj.




