Bota

E cilësuar nga ndjekësit e saj si “tregtarja më seksi e armëve në botë”, Sina Air po bën namin në rrjet!

Një biznesmene kineze, e cilësuar nga ndjekësit e saj si “tregtarja më seksi e armëve në botë”, po promovon avionë luftarakë dhe pajisje të tjera ushtarake komardare, të cilat mund të përdoren nga Rusia për të mashtruar ushtrinë ukrainase dhe për ta detyruar atë të shpenzojë raketa të kushtueshme kundër objektivave të rremë.

Bëhet fjalë për Sina Air, e cila shfaqet në videot promocionale të këtyre produkteve dhe prezanton përfitimet e kamuflimit ushtarak. Pajisjet imituese synojnë të krijojnë përshtypjen e pranisë së avionëve, tankeve apo sistemeve të vërteta të armatimit, duke i bërë kundërshtarët të harxhojnë municione për shkatërrimin e tyre.

“Në luftën e sotme me ritëm të shpejtë, kamuflimi nuk ka të bëjë më vetëm me fshehjen, por është një aftësi strategjike që mund të përcaktojë fitoren ose humbjen”, shprehet Sina në njërën prej videove, ndërsa pas saj shfaqet një raketë e rreme.

Reklamat për avionët luftarakë imitues janë publikuar në disa platforma të tregtisë elektronike që operojnë në Kinë dhe Rusi. Disa prej këtyre produkteve ofrohen për vetëm disa qindra dollarë. Sipas raportimeve të “The Telegraph”, njoftimet në gjuhën ruse pretendojnë se janë kryer tashmë qindra porosi për avionë të fryrë që shërbejnë si objektiva mashtrues.

Një pjesë e madhe e reklamave lidhen me kompaninë Gauss, e cila duket se operon përmes disa markave dhe filialeve, mes tyre Gauss Inflatables, Gauss Intelligent Equipment, Hangzhou Gauss dhe Jiangxi Gauss.

Në një prej videove promocionale, të shoqëruar me sloganin “Fryj, zgjero, çoriento”, shfaqet ambienti i një fabrike ku prodhohen tanke ushtarake të fryra. Produktet e kompanisë nuk kufizohen vetëm te avionët luftarakë, por përfshijnë edhe sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa, artileri, hangare dhe tenda kamuflazhi të pajisura me shenja termike për të imituar objektiva realë.

Fakti që videot promovuese publikohen edhe në YouTube, platformë e bllokuar në Kinë nga autoritetet vendase, sugjeron se produktet synojnë kryesisht tregjet ndërkombëtare.

Sina shfaqet në videot e publikuara në llogarinë e saj në Instagram, ku ka krijuar një numër të konsiderueshëm ndjekësish. Përveç produkteve ushtarake, vëmendje marrin edhe komentet e përdoruesve, të cilët e komplimentojnë për pamjen dhe aftësitë e saj në biznes. Njëri prej tyre e cilëson “tregtaren më seksi të armëve në botë”.

Sipas ekspertëve, pajisjet e tilla mund të kenë një rol të rëndësishëm në luftën në Ukrainë, ku mashtrimi i sistemeve të zbulimit dhe shpërdorimi i municioneve të kundërshtarit janë pjesë e strategjisë ushtarake.

Robert Tolast, studiues i luftës tokësore në organizatën britanike të mbrojtjes Royal United Services Institute (RUSI), deklaroi për “The Telegraph” se ka shumë gjasa që një pjesë e konsiderueshme e këtyre produkteve të kalojë përtej kufijve të Kinës dhe Rusisë.

“Ka të ngjarë – nëse jo pothuajse e sigurt – që një pjesë e madhe e këtyre produkteve po lëvizin përtej kufijve të Kinës dhe Rusisë”, u shpreh ai.

Pajisjet komardare nuk kanë fuqinë e armëve të vërteta, por mund të shërbejnë si objektiva mashtrues, duke detyruar kundërshtarin të përdorë raketa dhe municione reale për të goditur pajisje që kushtojnë shumë më pak.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.