Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është përfshirë në një debat me deputetin demokrat Tomor Alizoti gjatë seancës plenare në Kuvend, duke akuzuar opozitën për nxitjen e dhunës ndaj institucioneve dhe përdorimin e një retorike agresive.

Duke iu përgjigjur deklaratave të Alizotit, Balla ka ironizuar Partinë Demokratike, duke iu referuar të kaluarës së Sali Berishës si sekretar i Partisë së Punës.

Socialisti u ndal gjithashtu te protestat e opozitës, duke akuzuar drejtuesit e PD-së për frymëzimin e akteve të dhunshme. Ai deklaroi se Partia Demokratike është larguar nga idealet mbi të cilat u themelua, duke e cilësuar atë si një “fabrikë prodhimi artizanal molotovësh”.

Balla i kërkoi opozitës të distancohet nga dhuna dhe të kontribuojë në përmbushjen e reformave që lidhen me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai theksoi gjithashtu se Partia Socialiste e kishte dënuar diktaturën që më 12 qershor të vitit 1991.

“Ende deri më sot PD nuk ka votuar qoftë edhe një ligj të vetëm të përafrimit të legjislacionit me atë komunitet dhe përmbushjen e reformave që Shqipëria ka në këtë fazë historike. Koha është tani për të lënë pas diskutimet pa vlerë, retorikën agresive dhe dhunën. Qytetarët nuk i merrni dot për budallenj. Dhunën në rrugë kundër institucioneve në këto 35 vite e frymëzon vetëm një njeri. Ai është sekretari i partisë brenda jush. Distancohuni përfundimisht nga dhuna. Nuk mund të jetë PD ajo që lindi si aspiratë e të rinjve, sot e vetmja ndërmarrje magazinë prodhimi molotovësh. E keni degjeneruar PD-në në një fabrikë prodhimi artizanal molotovësh”, u shpreh Balla.