Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka shpallur vendimin për tre të pandehur të ndarë nga çështja kryesore ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të cilët zgjodhën gjykimin e shkurtuar.
Fatime Kryemadhi (nëna e Monika Kryemadhit, njëkohësisht ish-vjehrra e Ilir Metës) u shpall fajtore për pastrim parash dhe u dënua fillimisht me 7 vite e 6 muaj burg. Me uljen e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, ajo mbeti me 5 vite burg, të cilat u pezulluan duke u kthyer në shërbim prove. Gjykata hodhi poshtë kërkesën e SPAK për konfiskimin e pasurive të saj, përfshirë vilën e sekuestruar ku banon Monika Kryemadhi.
Piro Xhixho (babai i deputetes Erisa Xhixho) u shpall i pafajshëm për akuzën e korrupsionit pasiv në bashkëpunim, pasi sipas gjykatës nuk u vërtetua kryerja e veprës penale.
Ema Çoku u dënua fillimisht me 2 vite burg për pengim të zbardhjes së së vërtetës, dënim që pas gjykimit të shkurtuar zbriti në 1 vit e 4 muaj. Ekzekutimi u pezullua dhe ajo u vendos në shërbim prove për 2 vite e 8 muaj, me ndalimin për të mbajtur kontakte me persona të dënuar. Akuza e SPAK ndaj saj për pastrim parash nuk u provua.
Të tre të akuzuarit u gjykuan veçmas nga procesi i rregullt ku vijon të hetohet/gjykohet ish-çifti Ilir Meta – Monika Kryemadhi për akuza që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë.