Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë shpalli të enjten, më 26 nëntor, vendimin në çështjen penale në ngarkim të Fatime Kryemadhit, nënës së Monika Kryemadhit, Piro Xhixhos, ish-kreut të AKEP-it, dhe Ema Çokut. Procesi ndaj tyre u zhvillua me gjykim të shkurtuar. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Etleva Deda dhe me anëtarë gjyqtarët Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka, shpalli të pafajshëm Piro Xhixhon për veprën penale të korrupsionit dhe pushoi masën e sigurimit personal “detyrim për paraqitje”, të caktuar ndaj tij.
Fatime Kryemadhi u deklarua fajtore për pastrim parash dhe u dënua nga gjykata me 7 vjet e 6 muaj burgim. Me zbatimin e gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën, në 5 vjet heqje lirie. Ndërkohë, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe e vendosi Kryemadhin në shërbim prove për një periudhë 5-vjeçare. Gjykata rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për konfiskimin e vilës në pronësi të Fatime Kryemadhit.
Gjykata deklaroi fajtore edhe të pandehurën Ema Çoku për veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës dhe e dënoi me 2 vjet burgim. Dënimi u ul në 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Edhe për Çokun, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe caktoi një periudhë prej 2 vjetësh e 8 muajsh në shërbim prove.
Procesi me gjykim të shkurtuar ishte i lidhur me akuzat e ngritura ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Pesë muaj më parë, SPAK-u kërkoi që të tre të pandehurit të shpalleshin fajtorë, por kërkoi gjithashtu pezullimin e ekzekutimit të dënimeve dhe vendosjen e tyre në shërbim prove. Sipas SPAK-ut, Xhixho, Çoku dhe Fatime Kryemadhi i kanë kryer veprimet e paligjshme për llogari të Metës dhe Monika Kryemadhit, pa përfitime personale. Të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi po gjykohen veçmas, me procedurën e zakonshme.
SPAK-u e akuzon Metën për aferën CEZ-DIA dhe kontratën e lobimit të LSI-së në SHBA. Meta dhe ish-bashkëshortja e tij akuzohen gjithashtu për ndikim për llogari të biznesmenëve Samir Mane dhe Adrian Shatku në këmbim të favoreve, për pamundësinë financiare për blerjen e dy apartamenteve në ish-Bllok dhe për mosdeklarimin e shpenzimeve. Meta dhe Kryemadhi i kanë kundërshtuar akuzat si të pabazuara dhe të inskenuara nga kundërshtarët politikë.






