Marrëveshjet kanë të bëjnë me tregtinë e produkteve ushqimore dhe sistemin e tregtimit të emetimeve të karbonit. Bashkë me to do të publikohet edhe projektligji i qeverisë britanike, i cili synon të zbatojë pjesën më të madhe të marrëveshjes, raporton BBC.

Sipas BBC-së, marrëveshja për eksportin e produkteve ushqimore përmban një klauzolë për ndërprerjen e saj pas 10 vjetësh. Në rast se njëra palë vendos ta përfundojë marrëveshjen, ajo do të duhet të paguajë për rindërtimin e infrastrukturës së kontrolleve kufitare, e cila pritet të zvogëlohet ndjeshëm si pjesë e marrëveshjes së re.

Udhëheqësja e opozitës, Kemi Badenoch, ka deklaruar se do ta anulonte marrëveshjen, ndërsa Nigel Farage nga partia Reform UK ka sugjeruar se do të refuzonte të paguante kostot përkatëse.

Marrëveshja për rivendosjen e marrëdhënieve mes Britanisë dhe BE-së ka nxitur debat lidhur me përfitimet, kostot dhe të ardhmen e raporteve mes dy palëve.

Përmes marrëveshjes, eksportuesit britanikë të produkteve ushqimore pritet të përfitojnë nga heqja e një pjese të madhe të procedurave burokratike dhe kontrolleve kufitare. Një analizë e brendshme e qeverisë parashikon rritje prej 16 për qind të eksporteve bujqësore.

Qeveria dhe përfaqësuesit e industrisë shpresojnë që ulja e kostove për prodhuesit dhe shitësit e produkteve ushqimore të reflektohet edhe në çmimet për konsumatorët. Megjithatë, sipas BBC-së, nuk është e sigurt nëse kjo do të vërehet drejtpërdrejt në çmimet në dyqane.

Ministri për Çështjet Evropiane, Hamish Falconer, ka deklaruar se projektligji për uljen e kostove mundëson zbatimin e dy marrëveshjeve të rëndësishme tregtare.

Ai ka thënë se marrëveshjet do të eliminojnë dokumentacionin e tepërt për tregtarët e produkteve ushqimore dhe pijeve, do të mbrojnë eksportet britanike me vlerë miliarda paund nga taksat e karbonit dhe do ta bëjnë më të lehtë e më të lirë tregtinë me partnerin më të madh tregtar të Britanisë.

Ndërkohë, marrëveshja për ndërlidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve të karbonit mes Britanisë dhe BE-së pritet të përfshijë më gjerësisht sektorët e aviacionit dhe transportit detar në Mbretërinë e Bashkuar.

Tekstet e marrëveshjeve do të përcaktojnë gjithashtu mënyrën se si Britania do t'i përcjellë dhe do të kontribuojë në hartimin e rregullave përkatëse të BE-së, pa pasur të drejtë vote në vendimmarrjen për to.

Në legjislacion do të përfshihen edhe kompetenca të posaçme për ministrat, të njohura si kompetencat “Henry VIII”, të cilat mundësojnë ndryshimin e ligjeve përmes legjislacionit dytësor, me më pak mbikëqyrje parlamentare.

Kryeministri britanik, duke prezantuar marrëveshjen para deputetëve në fillim të kësaj jave, e ka cilësuar atë si pragmatike dhe ka theksuar se nuk përbën hap drejt ndonjë ndryshimi tjetër në marrëdhëniet me BE-në.

Ndërkaq, Andy Burnham ka deklaruar se do të ishte e paimagjinueshme që Britania të rikthehej në BE pa mbajtur referendum.

Disa ish-kryeministra kanë kërkuar që debati për Brexit-in të mos rihapet. Burnham i ka kritikuar këto qëndrime, duke thënë se ata kanë mbetur në të kaluarën, ndërsa më vonë ka deklaruar se Partia Laburiste nuk do ta rikthejë debatin për Evropën.

Nga ana tjetër, Badenoch ka akuzuar Burnhamin se e ka paraqitur marrëveshjen si më të favorshme sesa është në të vërtetë dhe se po përpiqet ta kthejë Britaninë në vitin 2015.