Zlatan Ibrahimovic pritet t’i bashkohet kastit të sezonit të tretë të serialit “MobLand”, në një rol që premton të sjellë përplasje të reja në historinë e familjes mafioze Harrigan. Lajmi është publikuar nga tabloidi britanik “The Sun”, por deri më tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga produksioni apo vetë ish-futbollisti.

Sipas këtij raportimi, Ibrahimovic nuk do të ketë thjesht një paraqitje të shkurtër, por do të interpretojë një personazh antagonist, i cili do të përfshihet drejtpërdrejt në konfliktet dhe lojërat e pushtetit që rrethojnë familjen Harrigan.

Një burim pranë produksionit, cituar nga “The Sun”, ka deklaruar se përfshirja e suedezit ka ngjallur entuziazëm dhe pritet të rrisë edhe më shumë interesin për serialin. “MobLand”, prodhim i Paramount, ka në kast emra të njohur të kinemasë, mes tyre Tom Hardy, Pierce Brosnan dhe Helen Mirren.

Përfshirja e Ibrahimovic do të sillte një surprizë të veçantë, duke bashkuar botën e futbollit me atë të serialeve kriminale. Mbetet për t’u parë se si do të ndërthuret personazhi i tij me historinë e familjes Harrigan dhe çfarë ndikimi do të ketë në ekuilibrat kriminalë të sezonit të tretë.