Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ironizuar Partinë Demokratike gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke iu përgjigjur deklaratave të nënkryetarit të grupit parlamentar të PD-së, i cili kishte përmendur sekretarët e Partisë së Punës.
Balla deklaroi se i vetmi sekretar i Partisë së Punës është kreu i Partisë Demokratike, duke shtuar se PS e ka dënuar diktaturën më 12 qershor 1991.
“E dëgjuam me vëmendje nënkryetarin e grupit të PD-së, i cili në fund përmendi edhe sekretarët e Partisë së Punës. I vetmi sekretar i Partisë së Punës është kreu i partisë tënde. Ta gëzoni, ta mbash me shëndet. Sekretarët e partisë mos i shihni nga ne. PS e ka dënuar diktaturën më 12 qershor 1991”, deklaroi Balla.
Balla, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të bashkëpunojë për avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
“Është dita që edhe PD të punojë me ne për këtë projekt historik. Jeni të mirëpritur. Sot mbahet Këshilli Kombëtar i Integrimit, me praninë e Marta Kos, dhe mesazhi i përbashkët i forcave politike duhet të jetë puna e të gjithëve për të çuar përpara këtë program”, u shpreh ai.
Në përfundim, Balla e cilesoi PD-në si një strukturë që, sipas tij, është kthyer në një qendër prodhimi të mjeteve piroteknike të përdorura në protesta.
“PD është sot e vetmja magazinë prodhimi molotovësh. E keni degjeneruar PD-në në një fabrikë prodhimi artizanal molotovësh. Ligjin për tubimet, qëndrimin tonë do ta dëgjoni, por sot është ditë e madhe për Shqipërinë, votohet buxheti më i madh ndonjëherë, gjithë veshët e shqiptarëve janë aty.”, përfundoi Balla.