BE-ja përballet me negociata të vështira për buxhetin 1.6 trilionë euro dhe financimin e Ukrainës
Udhëheqësit e Bashkimit Europian diskutojnëe këtë të enjte në Bruksel për të diskutuar propozimin për buxhetin e përbashkët prej afro 1.6 trilionë eurosh për periudhën 2028–2034, mes mosmarrëveshjeve për financimin e prioriteteve strategjike të bllokut dhe mbështetjen e mëtejshme financiare për Ukrainën.
Sipas Reuters, udhëheqësit europianë synojnë të ngushtojnë diferencat mes vendeve anëtare gjatë samitit dyditor të 26 dhe 27 nëntorit, me objektivin për të arritur një marrëveshje në dhjetor. Në qendër të diskutimeve do të jetë edhe financimi i Ukrainës për vitin 2027.
Komisioni Europian paraqiti më 18 nëntor një propozim për sigurimin e deri në 45 miliardë eurove mbështetje financiare shtesë për Kievin.
Fondet do t’i shtohen paketës ekzistuese të huasë prej 90 miliardë eurosh, të miratuar nga Bashkimi Europian për periudhën 2026–2027.
Ukraina përballet me një hendek financiar prej rreth 70 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm, edhe pas përfshirjes së mbështetjes së planifikuar deri tani. Rreth 30 miliardë euro nevojiten për financimin e buxhetit të shtetit dhe 40 miliardë euro për shpenzimet e mbrojtjes.
Propozimi i ri për huamarrje parashikon përdorimin e buxhetit aktual të Bashkimit Europian si garanci për financimin, ndërkohë që kuadri financiar ekzistues përfundon në dhjetor të vitit 2027.
Presidenti i Këshillit Europian, António Costa, do t’u paraqesë udhëheqësve të 27 vendeve anëtare propozimin e tij për buxhetin e ardhshëm, duke u dhënë atyre mundësinë të shprehin qëndrimet për strukturën dhe prioritetet e financimit.
Diskutimet për mbështetjen e Ukrainës pasojnë takimin informal të udhëheqësve europianë në Dublin më 13 nëntor, gjatë të cilit nuk u arrit një vendim për mbulimin e nevojave financiare të vendit.
Krahas financimit për vitin 2027, udhëheqësit pritet të shqyrtojnë mundësitë për sigurimin e mbështetjes afatgjatë për Ukrainën, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Costa ka pranuar se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare për buxhetin gjatë samitit të kësaj jave mund të mos jetë e mundur.
Negociatat pritet të vijojnë deri në takimin e dhjetorit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









