Për 82-vjeçaren Eddie Cole nga Ohio, në SHBA, qenushja e saj Mitz është shumë më tepër se një kafshë shtëpiake. Prej tre vitesh, ajo ka qenë shoqëruesja e saj e pandarë, duke e ndihmuar të përballojë vetminë dhe problemet shëndetësore. “E mora Mitzin sepse isha e sëmurë dhe e vetmuar. Kisha nevojë për dikë pranë meje.”-rrëfeu e moshuara.
Të premten, ndërsa Cole po pastronte makinën në një lavazh, qenushja doli papritur nga automjeti dhe u largua. Punonjësit e lavazhit arritën ta kapnin, por më pas ia dorëzuan një çifti.
Ditët që pasuan ishin të dhimbshme për 82-vjeçaren, e cila mes lotësh bëri një apel publik për kthimin e qenushes. “Ajo ishte gjithçka për mua, ishte gjithçka që kisha. Dua vetëm të ma ktheni qenin tim”-u shpreh e moshuara.
Policia e South Euclid publikoi historinë në rrjetet sociale, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve. Pasi mësoi rëndësinë që qenushja kishte për shëndetin emocional të gruas, çifti kontaktoi autoritetet dhe e dorëzoi atë në komisariat.
Të hënën në mbrëmje, Eddie më në fund përqafoi shoqëruesen e saj të dashur. Këtë herë, lotët ishin lot gëzimi. “Kjo është gjëja më e bukur që mund të më ndodhte përpara festave. Falënderoj Zotin dhe të gjithë ata që ma kthyen, deklaroi ajo e emocionuar.”
Policia e ka mbyllur çështjen, duke vlerësuar se çifti mund të ketë menduar fillimisht se po ndihmonte një kafshë të humbur. Për 82-vjeçaren, dhurata më e bukur e festave ishte rikthimi i mikeshës së saj të vogël, që i kishte dhënë kuptim përditshmërisë.

