Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka kërkuar praninë e ministrit të Brendshëm në Kuvend, për të dhënë shpjegime lidhur me rastin e një qytetari që, sipas tij, është dhunuar nga dy persona brenda ambienteve të Komisariatit nr. 1 në Tiranë. Shehaj pretendon gjithashtu se pas ngjarjes, ndaj qytetarit është ushtruar presion për t’u tërhequr nga denoncimi.
“Duhet të ishte këtu ministri i Brendshëm, por ai zhduket dhe flet. Do ta pyesja në lidhje me skandalin e dhunimit në Komisariatin nr. 1 nga dy banditë, të cilët pasi e dhunuan në komisariat, patën guximin t’u dërgonin vartësin e tyre për t’u tërhequr nga denoncimi. Ministri është i fortë me policinë, por zhduket kur duhet të japë përgjigje”, deklaroi Shehaj.
Më tej, kreu i Partisë Mundësia komentoi deklaratat e ambasadorit amerikan, duke pretenduar se ato kanë shkaktuar shqetësim në radhët e mazhorancës. Ai iu referua paralajmërimit për gjurmët që mund të jenë ruajtur në serverat amerikanë dhe ngriti akuza për përpjekje për fshirjen e komunikimeve elektronike.
“Dukeni të fortë e të plotfuqishëm, por e dini mirë se ju ka ardhur fundi. U terrorizuat dhe bëtë panik kur foli dje ambasadori amerikan. Gjëja që ju bëri të dridheni ishte kur ju tha se keni lënë gjurmë në serverat amerikanë. Janë aty gjurmët e vjedhjeve tuaja. Keni kaluar ditën dje duke fshirë email-e dhe SMS, por nuk keni nga t’ia mbani”, u shpreh ai.
Në përfundim, Shehaj foli edhe për protestën e paralajmëruar për të shtunën, më 28 nëntor. Ai akuzoi qeverinë se ka shtuar praninë e policisë në Tiranë dhe po shqyrton masa për kufizimin e protestuesve.
“Keni mbushur gjysmën e Tiranës me polici, tani keni sjellë në Kuvend edhe masat se si të ndaloni protestuesit, por nuk i ndaloni dot. Të shtunën e gjithë Shqipëria do të ngrihet kundër jush, sepse ju ka ardhur fundi”, përfundoi Shehaj.