Aktualitet Bota

Del fotoja e njërit prej grabitësve shqiptarë në rezidencën e William dhe Kate!

Mediat britanike publikuan foton e njërit prej dy shqiptarëve të akuzuar për vjedhjen në rezidencën mbretërore të Princit William e Princeshës Kate, në Norfolk të Anglisë.

Eshtë fjala për Arilen Ndocin, 32 vjeç, i cili me Mirgen Dokun, 34, morën një orë dhe gjashtë kopsa manshetash nga rezidenca mbretërore Anmer Hall, në pronën Sandringham.

Në vilë hynë duke u ngjitur përmes tubave të shkarkimit të ujërave të çatisë, duke dëmtuar edhe një dritare të objektit. Në momentin e grabitjes, Princi William e Princesha Kate me tre fëmijët e tyre, nuk ndodheshin në rezidencë, por në Windsor.

Si u zbuluan dhe arrestuan dy shqiptarët

Alarmi i sigurisë së pronës mbretërore u aktivizua në orën 17:49 të së hënës, ndërsa tre persona u panë duke lëvizur drejt rezidencës.

Dy prej të dyshuarve u pikasën nga një roje, ndërsa largoheshin nga zona. Në operacionin për lokalizimin e arrestimin e tyre u përdorën edhe dronë të policisë britanike.

Në momentin e arrestimit, dy shqiptarët ishin zbathur. Në territorin e pronës mbretërore u gjetën edhe mjete që dyshohet se u përdorën gjatë vjedhjes.

Sipas prokurorëve britanikë, policia konstatoi shenja të kontrollit të rrëmujshëm të ambienteve të brendshme të rezidencës. Një person i tretë, shtetësia e të cilit mbetet e panjohur, nuk është arrestuar.

Dy shqiptarët dalin para gjykatës

Arilen Ndoci e Mirgen Doku, dje u paraqitën para Gjykatës së Magjistraturës në Norwich. Gjatë seancës, u asistuan nga një përkthyes dhe konfirmuan vetëm emrat e datëlindjet. Seanca e radhës u caktua për më 30 nëntor.

Rezidenca mbretërore, dhuratë nga Mbretëresha Elizabeta II

Anmer Hall është ndërtuar më 1802-shin dhe u ble nga Mbretëresha Victoria në vitin 1862. Rezidenca me dhjetë dhoma iu dhurua Princit William dhe Princeshës Kate nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeta II.

Ky është rasti i parë i raportuar i një vjedhjeje në një pronë të familjes mbretërore britanike, për të cilën akuzohen shtetas shqiptarë e që dyshohet se në Mbretërinë e Bashkuar kanë hyrë ilegalisht.

Sipas informacionit në gjykatë, Doku banon në zonën e South Kensington-it, në Londrën perëndimore, ndërsa Ndoci nuk ka adresë të përhershme.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.