E enjte, 26 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Si sherri me Ballukun la Tiranën 5 vite pa ujë
Lajme

Si sherri me Ballukun la Tiranën 5 vite pa ujë

Rama i rrëmben Veliajt projektin 144.5 mln euro të ujësjellësit

Në fund të vitit 2021, zvkryeministri i atëhershëm Arben Ahmetaj dhe zv/presidentja e Bankës Evropiane të Investimeve, Liliyana Pavlova, firmosën një arrëveshje kredie prej 80 milionë eurosh për rrjetin e shpërndarjes së ujit në kryeqytet.

Investimi synonte të ndërtonte një unazë presioni rreth Tiranës, e cila konsistonte në ndërtimin e një tubacioni gjigant rrethor rreth 50 kilometra të gjatë përqark kryeqytetit për të garantuar presion të njëtrajtshëm dhe furnizim me ujë 24 orë në çdo kat të pallateve.

“Ujësjellësi i Tiranës dhe 24 orë ujë për qytetin e Tiranës po bëhet realitet. Ky nuk është projekt 3D, është një investim i prekshëm,” pati deklaruar Ahmetaj gjatë nënshkrimit të marrëveshjes.

“Ky investim do të eliminojë përfundimisht pompat dhe depozitat në kryeqytet dhe brenda dy deri në katër vite, rreth 1 milion banorë të Tiranës do të kenë ujë të pijshëm 24 orë në ditë, me presion në çdo kat,” shtoi kryebashkiaku Erion Veliaj.

Rama i rrëmben Veliajt projektin 144.5 mln euro të

Investimi për ndërtimin e unazës së presionit kishte një kosto totale prej 144.5 milionë eurosh, nga të cilat 80 milionë do të ishin të BEI dhe pjesa tjetër duhej të financohej nga qeveria shqiptare përmes buxhetit.

Por paratë nuk u dhanë asnjëherë, jo se nuk ishin, por për shkak të një sherri të fortë mes Belinda Ballukut dhe Erion Veliajt se kush do të tenderonte dhe zbatonte projektin.

Për shkak të kësaj përplasje, pesë vite nënshkrimit të marrëveshjes, pikërisht kur punimet duhej të ishin mbyllur dhe qytetarët të hiqnin depozitat nga tarracat – projekti jo vetëm që nuk u realizua, por ka ndërruar edhe “pronar” brenda mazhorancës.

Një javë më paë, Këshilli i Ministrave miratoi listën e përditësuar të projekteve me rëndësi kombëtare për periudhën 2027–2029. Në dokumentin zyrtar bie në sy një lëvizje e fortë politike dhe administrative. Investimi gjigant prej 144,5 milionë eurosh (80 milionë kredi nga BEI dhe 64.5 milionë nga buxheti/UKT) i është hequr zyrtarisht Bashkisë Tiranë dhe Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë.

Rama i rrëmben Veliajt projektin 144.5 mln euro të

Si institucion propozues dhe përgjegjës për menaxhimin e tij është vendosur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve.

Si përplasja Balluku–Veliaj sabotoi ujin e kryeqytetit
Zvarritja e këtij investimi madhor, për të cilin taksapaguesit shqiptarë janë ngarkuar me këstet e kredisë ndërkombëtare, lidhet ngushtë me luftën e brendshme për pushtet dhe kontrollin e parave publike në Tiranë.

Për pesë vite me radhë, rreth një milion banorë të Tiranës mbetën peng i një lufte të heshtur pushteti, duke vuajtur mungesën e ujit 24 orë në rubinetet e tyre thjesht sepse dy zyrtarët më të lartë të mazhorancës nuk binin dakord se kush do të firmoste tenderat.

Ndërsa qeveria dhe bashkia bllokonin njëra-tjetrën për kontrollin e fondeve të “Unazës së Presionit” dhe burimit të Gurit të Bardhë, qytetarët e kryeqytetit u detyruan të paguanin fatura të rritura uji, të shpenzonin për pompa e depozita nëpër tarraca dhe të përballeshin me kufizime të përditshme.

Në fund, sherri politik midis Ballukut dhe Veliajt nuk prodhoi asnjë pikë ujë më shumë në çezmat e tiranasve, por vetëm pesë vite të humbura dhe një faturë kredie ndërkombëtare që rëndon mbi xhepat e taksapaguesve.

Kalimi i kompetencave te MIE dhe AKUK vulos kështu fitoren e pushtetit qendror në betejën për menaxhimin e 144.5 milionë eurove, ndërsa faturën e viteve të humbura pa ujë 24 orë vijojnë ta paguajnë qytetarët e Tiranës.

Nga “Unaza e Presionit” te emri i ri
Përveç kalimit të tenderave dhe fondeve te pushteti qendror, qeveria ka fshirë edhe emërtimin me të cilin Bashkia Tiranë e shiti projektin në prill 2022, kur kontrata e huas kaloi në Kuvend.

Asokohe, nënkryetarja e Bashkisë, Anisa Ruseti, dhe drejtori i UKT-së, Elton Kacidhja, e prezantuan investimin si “Burimi i ri i Gurit të Bardhë” (20 milionë euro) dhe “Unaza e Presionit” (60 milionë euro), duke premtuar ndërtimin e 50 kilometrave tubacione kryesore dhe 54 minizonave që do të kthenin Tiranën në një kantier ndërtimi për katër vite.

Sot, në tabelat e buxhetit afatmesëm 2027–2029, projekti shfaqet me statusin “I maturuar” – çka tregon se ende nuk ka hyrë në fazën finale të zbatimit – dhe është ribaptizuar me një emër të përgjithshëm teknik: “Përmirësimi strukturor i Rrjetit të Ujësjellësit të Tiranës”. /Kapitali

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.