Rey Manaj mund të rikthehet në futbollin italian. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është shfaqur në radarët e Lecces, skuadër që po shqyrton mundësinë e përforcimit të repartit ofensiv në merkaton e janarit.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, situata e sulmuesve dhe mungesa e golave kanë bërë që drejtuesit e Lecces të mendojnë për ndërhyrje në merkaton e ardhshme. Në këtë kontekst, emri i Manajt ka nisur të qarkullojë si një alternativë e mundshme.
Sulmuesi 29-vjeçar po kalon një sezon pozitiv me Sivassporin, ku ka realizuar 10 gola në 13 ndeshje të kampionatit turk. Megjithatë, problemet financiare të klubit dhe dëshira për të rishikuar kushtet e kontratës së tij kanë krijuar pakënaqësi te futbollisti, i cili thuhet se po shqyrton mundësinë e një transferimi.
Përfaqësuesit e rinj të Manajt, të lidhur me agjentin e njohur Fali Ramadani, po vlerësojnë mundësinë e një rikthimi në Itali, ndërsa Lecce shihet si një destinacion potencial. Për momentin nuk ka negociata konkrete apo një marrëveshje të avancuar, por situata pritet të ndiqet me vëmendje në prag të merkatos së janarit.
Një rikthim në Itali nuk do të ishte diçka e panjohur për Manajn. Sulmuesi shqiptar është formuar në akademinë e Interit dhe gjatë karrierës së tij ka luajtur gjithashtu me Sampdorian, Cremonesen, Pescarën dhe Pisan.
Megjithatë, periudhën më produktive e ka kaluar pikërisht te Sivasspori. Në sezonin 2023/24 realizoi 18 gola në 33 ndeshje, ndërsa në edicionin 2024/25 shënoi 12 gola në 27 takime.
