Reforma Zgjedhore/ PD kërkon zgjatjen e afatit të komisionit, zbardhet email që është dërguar nga ODIHR
PD kërkoi në Kuvend zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Oerd Bylykbashi tha se komisioni kishte rënë dakord t’i kërkonte Venecias asistencë për të gjitha paketat e reformës, jo vetëm për ligjin për financimin e partive politike.
Taulant Balla i bëri thirrje opozitës të vijojë punën në komision, i cili e ka afatin deri më datë 30 dhe tha se kjo ishte hera e fundit që i zgjatej mandati.
Kjo dalë, është përcaktuar si afat i fundit edhe në shkresën që komisioni i ka drejtuar zyrtarisht OSBE/ODIHR-it për caktimin e ekspertëve ndërkombëtarë.
Vizion Plus ka siguruar përgjigjen që ODIHR i ka kthyer dy bashkëkryetarëve Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi.
ODIHR kërkon të dijë me saktësi se për çfarë çështje është kërkuar ekspertiza ndërkombëtare dhe për çfarë afati kohor.
Email-i nga ODIHR -i:
Të nderuar Damian dhe Oerd,
Shpresoj që jeni mirë.
Faleminderit për letrën tuaj, të marrë sot, në lidhje me vendimin e Komisionit të datës 17 nëntor, përmes të cilit kërkohet caktimi i ekspertëve nga ODIHR-i. Duke pasur parasysh njoftimin me afat të shkurtër, dhe për ta shqyrtuar kërkesën në mënyrë të plotë e për të identifikuar ekspertët e duhur, do t’ju ishim mirënjohës nëse mund të na jepni sqarime për pikat e mëposhtme:
A mund të na informoni mbi afatet e parashikuara për angazhimin e ekspertëve, duke përfshirë fazat kryesore dhe datën e pritshme për finalizimin e projektakteve ligjore?
A mund të specifikoni se për cilat projektakte dhe çështje kërkohet kontributi i ekspertëve, përfshirë rekomandimet e ODIHR-it që Komisioni synon të adresojë?
Duke marrë parasysh se mandati i Komisionit zgjat deri më 30 nëntor 2026, a mund të na sqaroni nëse ky afat është përfundimtar apo nëse parashikohet ndonjë zgjatje e tij; dhe nëse po, për sa kohë?
Duke pasur parasysh kohën e kufizuar që ka mbetur, do ta vlerësonim një përgjigje sa më të shpejtë lidhur me këto pika, në mënyrë që të mund të identifikojmë formën më të përshtatshme të mbështetjes.




