Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore Oerd Bylykbashi, ka kërkuar zgjatjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore.
Teksa foli në seancën e sotme të Kuvendit, Bylykbashi theksoi se duhet të vendoset shtyrja e afatit të komisionit, në mënyrë të merret asistenca e duhur nga Komisioni i Venecias dhe OSBE-ODIHR.
Në përgjigje të kërkesës së tij, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se nuk do të ketë shtyrje, pasi demokratët janë njoftuar disa herë për përfundimin e afatit.
“Për Komisionin e Reformës Zgjedhore, ne e kemi ngritur komisionin sipas një formule të vjetër, të dakordësuar dhe jofunksionale. Ju kemi dhënë të drejtën juve, si bashkëkryetarë, për gjithçka, që nga rendi i ditës e deri te marrja e vendimeve.
Po jua përsëris edhe një herë se komisioni e ka afatin deri më datë 30. Më pas, nuk e keni më në dorë të merrni peng agjendën e integrimit në BE. Ftesa është aty. Uluni sot, pasnesër, të dielën dhe punoni me seriozitet, por mos e harroni këtë afat.
Aty, në atë foltore, jua kam thënë sot dhe gjashtë muaj më parë: kjo është hera e fundit që e zgjasim. Do të rikthehemi në një tjetër komision të reformës për të punuar së bashku, ndoshta para ose pas zgjedhjeve vendore, por ky komision duhet të jetë serioz. Pasi e bojkotove me mijëra herë, u kujtove, zotrote, se po të mbaron afati”, tha Balla.
“Nuk heq dorë nga zakoni që zotëria parafolës të flasë kot. Po ju citoj se çfarë thotë OSBE/ODIHR-i: “A mund të na sqaroni nëse ky afat mund të shtyhet apo është përfundimtar?” Pra, ju po i thoni sot ODIHR-it se nuk duam që të vini dhe të na ndihmoni.
Për ju është më e leverdishme një raport tjetër i keq i ODIHR-it sesa të mos keni mundësinë për të përdorur shtetin. Po jua them edhe një herë: ne jemi të gatshëm dhe kemi sjellë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, ndërsa ju nuk keni sjellë asgjë”, tha Bylykbashi.
