Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po debatojnë ashpër lidhur me propozimin buxhetor të bllokut, që kap vlerën e afro 1,6 trilionë eurove për periudhën 2028-2034. Ata shpresojnë të ngushtojnë dallimet për të arritur një marrëveshje në muajin dhjetor, bënë të ditur diplomatët. Sipas diplomatëve, qeveritë pritet t'i shprehin me vendosmëri qëndrimet e tyre mbi çështje kyçe, përfshirë mbështetjen financiare për Ukrainën, ndërsa lufta e Rusisë atje, që ka hyrë në vitin e saj të pestë, vazhdon. 27 vendet anëtare të BE-së shpresojnë se ky takim do t'i hapë rrugën Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, për të paraqitur një propozim të ri buxhetor në javët në vijim, në mënyrë që shtetet anëtare të mund të bien dakord për të gjatë samitit të 17 dhe 18 dhjetorit. Në lidhje me takimin e së enjtes, një diplomat parashikoi se "udhëheqësit do të bërtasin, do të ankohen dhe do të tregojnë se janë të gatshëm të luftojnë. Edhe pse buxheti hyn në fuqi vetëm në vitin 2028, udhëheqësit duan të arrijnë një marrëveshje brenda fundit të këtij viti, pasi vitin e ardhshëm mbahen zgjedhje në Francë, Itali, Poloni, Greqi, Estoni, Finlandë dhe Sllovaki, gjë që mund t'i ndërlikojë negociatat. Buxheti shtatëvjeçar kërkon miratimin unanim nga të 27 shtetet anëtare. "Nuk besoj se negociatat e vërteta do të nisin pa e ndjerë 'thikën në fyt', zakonisht kështu ndodh, dhe pa pasur një afat të vërtetë e përfundimtar," u shpreh një diplomat.