Një video e rreme, e krijuar përmes teknologjisë Deepfake, po qarkullon në rrjetet sociale, duke përdorur pa autorizim imazhin e gazetares së RTL-së, Mariette Zenners, dhe mjekut Nico Haas. Në video pretendohet se ilaçi ka ndihmuar rreth 100 mijë persona dhe se eliminon problemet e kyçeve brenda shtatë orësh.
Mashtrimi u zbulua pasi një ish-paciente kontaktoi mjekun për të verifikuar vërtetësinë e reklamës. Ajo kishte marrë edhe një telefonatë nga një person që prezantohej si mjeku Haas dhe i kërkonte 300 euro në para fizike për produktin, duke pretenduar se ai nuk shitej në farmaci.
Mjeku ka mohuar çdo lidhje me reklamën dhe ka depozituar kallëzim në polici. Edhe pacientë të tjerë e kanë kontaktuar për të kërkuar produktin e reklamuar. Rasti nxjerr në pah rrezikun në rritje të përdorimit të inteligjencës artificiale për manipulimin e identitetit të profesionistëve dhe mashtrimin e qytetarëve me produkte të rreme mjekësore.

