Steven Gerrard ka shprehur admirimin e tij për Jude Bellingham, duke e cilësuar yllin e Real Madridit si një nga mesfushorët më të kompletuar të futbollit botëror. Legjenda e Liverpoolit beson se anglezi ka të gjitha cilësitë për të fituar edhe çmimin prestigjioz të Topit të Artë, madje që këtë sezon.
Ish-kapiteni i Anglisë vlerësoi mentalitetin fitues, forcën fizike dhe kontributin e Bellinghamit në të dy fazat e lojës, duke theksuar se ai po vazhdon të rritet dhe të përmirësohet pavarësisht moshës së re.
“Nëse Jude Bellingham vazhdon të luajë në këtë nivel, ai mund ta fitojë Topin e Artë këtë sezon. Është një mesfushor luftarak, me mentalitet fitues, si në mënyrën se si luan me topin, ashtu edhe në lëvizjet e tij pa të”, u shpreh Gerrard.
Më tej, legjenda angleze nënvizoi zhvillimin e jashtëzakonshëm të futbollistit madrilen, i cili sipas tij tashmë ka arritur nivelin e lojtarëve më të mirë në botë.
“Ai po zhvillohet dhe po rritet vazhdimisht, ndërsa tashmë ka arritur nivelin e futbollistëve të klasit botëror. Është vërtet mbresëlënëse kur mendon për moshën që ka”, deklaroi ish-mesfushori i Liverpoolit.
Gerrard e mbylli vlerësimin e tij me një koment që tregon pritshmëritë e mëdha për të ardhmen e bashkëkombësit të tij: “Do të jetë kënaqësi ta ndjekim gjatë dhjetë viteve të ardhshme”.
Këto komplimente vijnë në një moment kur Bellingham po kalon një periudhë shumë të mirë me Real Madridin. Anglezi ishte ndër protagonistët kryesorë edhe në fitoren 5-1 ndaj PSV Eindhoven në Champions League, ku realizoi një gol spektakolar dhe dhuroi një asist.
