ODIHR vë në siklet Gjiknurin dhe Bylykbashin: Ku është Reforma Zgjedhore?
Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka kërkuar sqarime zyrtare nga Komisioni i Reformës Zgjedhore në lidhje me ecurinë e punës, afatet e përmbushjes së detyrave dhe angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për ndryshimet ligjore.
Në një letër drejtuar dy bashkëkryetarëve të Komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, ODIHR kërkon një pasqyrë të qartë të procesit, duke vënë në fokus kalendarin e punës dhe kohën kur pritet të përfundojnë projektligjet që lidhen me reformën.
Institucioni ndërkombëtar kërkon të informohet se cilat janë fazat e parashikuara të procesit, kur do të angazhohen ekspertët dhe cilat akte ligjore do të preken nga ndërhyrjet e planifikuara.
Një tjetër çështje për të cilën kërkohen detaje është fusha konkrete ku nevojitet ekspertiza ndërkombëtare, si dhe rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it që Komisioni synon të përfshijë në ndryshimet ligjore.
Por vëmendje të veçantë në letër merr edhe çështja e afatit të mandatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, i cili përfundon më 30 nëntor 2026.
Duke qenë se koha në dispozicion është e kufizuar, ODIHR kërkon të dijë nëse kjo datë konsiderohet përfundimtare apo nëse dy palët politike kanë rënë dakord për zgjatjen e mandatit. Në rast se parashikohet shtyrja, institucioni kërkon të informohet edhe për periudhën konkrete të zgjatjes.
Në komunikimin drejtuar Gjiknurit dhe Bylykbashit, ODIHR kërkon përgjigje për disa prej pikave kryesore të procesit:
- Cili është kalendari i angazhimit të ekspertëve dhe cilat janë etapat kryesore të reformës?
- Kur parashikohet të përfundojnë projektligjet?
- Cilat akte ligjore do të ndryshohen dhe për cilat çështje kërkohet ekspertiza ndërkombëtare?
- Cilat rekomandime të mëparshme të ODIHR-it synon të adresojë Komisioni?
- A do të përfundojë mandati më 30 nëntor 2026 apo do të ketë një zgjatje të tij?
Për shkak të afatit të shkurtër, ODIHR ka kërkuar që përgjigjja të jepet sa më shpejt, në mënyrë që të përcaktohet edhe forma më e përshtatshme e mbështetjes që mund të ofrojë për procesin.
Kërkesa e institucionit ndërkombëtar vë në fokus ritmin e punës së Komisionit dhe mungesën e qartësisë mbi afatet për përfundimin e reformës. Me përfundimin e mandatit më 30 nëntor, mbetet për t’u sqaruar nëse palët politike do të arrijnë të përmbushin detyrat brenda kohës së përcaktuar apo do të kërkojnë një tjetër shtyrje të afatit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



