Avokati Besnik Berisha ka dhënë detaje të reja lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, gjatë një interviste në mediat e Kosovës.
Duke folur për rrethanat e ngjarjes, Berisha deklaroi se Arlinda Zekaj është ekzekutuar në prani të vjehrrës së saj, dy djemve të kunatit dhe djalit të saj.
Sipas avokatit, tragjedia ka ndodhur para syve të familjarëve, ndërsa ai ka ngritur pikëpyetje për mosveprimin e personave që ndodheshin aty
Avokati u ndal veçanërisht te roli i ish-vjehrrës së viktimës, e cila është arrestuar dy ditë më parë. Ai pretendoi se gruaja nuk ka tentuar t’i japë ndihmë Arlindës pas sulmit.
“Dikujt mund t’i jetë dhimbsur një grua e moshuar në stacion, me duar të lidhura, por le ta dinë se ajo grua, me ftohtësinë e saj maksimale, ka thënë se nuk e ka vrarë. Ajo nuk e mori mundimin t’i afrohej nënës së nipit të saj, e la të shtrirë prapa derës, ku u ekzekutua barbarisht”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se arrestimi i saj, sipas pretendimeve të tij, nuk lidhet vetëm me momentin e vrasjes, por edhe me veprime të dyshuara që mund t’i kenë paraprirë ngjarjes.
Një tjetër detaj i rëndë i bërë publik nga avokati lidhet me kohën kur ka ndodhur vrasja. Sipas tij, Arlinda Zekaj është ekzekutuar vetëm 20 sekonda pasi ishte ndarë nga policia.
“Arlinda ishte ekzekutuar vetëm 20 sekonda pasi ishte ndarë nga policia. As një minutë nuk kishte kaluar, sapo kishte hyrë në derën e shtëpisë, kur u ekzekutua në mënyrën më tinëzare dhe më të tmerrshme, me sopatë, para syve të nënës së saj, e cila ishte dëshmitare e kësaj ngjarjeje tragjike”, u shpreh avokati.
Në përfundim, Berisha pretendoi se vrasja dyshohet të jetë porositur nga ish-bashkëshorti i viktimës, i cili në atë kohë ndodhej në burg.
Top Channel