Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, akuzoi qeverinë se nuk ka marrë masa ndaj efektivëve të policisë për dhunën e pretenduar ndaj protestuesve.
Gjatë fjalës në Kuvend, ajo ngriti shqetësimin për rastet e protestuesve të plagosur, duke pyetur se kush mban përgjegjësi për dëmtimin e syrit të Erionit, lidhjen pas kangjellave të Klevisit dhe plagosjen e Evës.
“Ju, zoti kryetar, i tërhoqët vëmendjen zotit Berisha për fjalorin, por nuk i dëgjuat fyerjet dhe sharjet që kreu i grupit parlamentar të PS-së i bëri kryetarit të PD-së.
Ju ka kapluar turpi. Meqë zotit Balla i intereson ndonjëherë të përmendë eurodeputetët, po ia përmend dhe unë. Si ka mundësi sot që nuk keni një polic të vetëm të dënuar, të arrestuar?
Si ka mundësi që nuk gjendet se kush ia nxori syrin Erionit, apo kush e lidhi pas kangjellave Klevisin, apo kush ia çau kafkën Evës? Ju promovoni për sjellje heroike ministrin.
Ju promovoni të keqen, ndaj shqiptarët nuk kanë rrugë tjetër, që të dalin në shesh dhe të kërkojnë lirinë e tyre.
Më 28 Nëntor të gjithë në shesh, të gjithë kundër kësaj qeverie.”, tha ajo.