Mundësitë e reja të investimit në Ballkanin Perëndimor dhe roli i rajonit në të ardhmen ekonomike të Europës janë në fokus të ditës së dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Tiranë.
Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa, tha se Ballkani Perëndimor nuk është periferia e Europës, por e ardhmja e saj, duke theksuar se investimet në rajon i shërbejnë konkurrueshmërisë, qëndrueshmërisë dhe prosperitetit të gjithë Europës.
“Ne po takohemi në një moment përcaktues për Europën, ku konkurrueshmëria po testohet, konkurrenca po intensifikohet dhe pasiguria gjeopolitike po shtohet. Europa do të bëjë zgjedhje themelore për të ardhmen ekonomike. Kjo lidhet edhe me Ballkanin Perëndimor. Ju nuk jeni periferia e Europës, por e ardhmja e Europës. Investimi në Ballkan do të thotë investim në konkurrueshmërinë, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e Europës. Zgjerimi dhe konkurrueshmëria janë një axhendë dhe një ambicie e përbashkët europiane”, tha Sousa.
Ambasadorja theksoi nevojën për forcimin e industrisë europiane, përshpejtimin e inovacionit, diversifikimin e zinxhirëve të furnizimit dhe aksesin në energji të pastër. Sipas saj, Ballkani Perëndimor luan një rol të rëndësishëm në këtë drejtim për shkak të afërsisë gjeografike, talentit, kapaciteteve industriale dhe ekonomive të integruara.
" Duhet të forcojmë bazën tonë industriale duhet të shpejtojmë inovacionin, të diversifikojmë kanalet e furnizimit, të kemi akses në energjinë e pastër. Ballkani luan një rol të rëndësishëm për shkak të afërsisë gjeografike, talentit, aftësive industriale dhe ekonomive të integruara që kontribuojnë në konkurueshmërinë e Europës” tha Sousa
Ndërkohë, ministri i Jashtëm, Hoxha, u bëri thirrje investitorëve të shfrytëzojnë mundësitë që ofron rajoni, duke theksuar se Ballkani Perëndimor mund të bëhet një nga burimet e reja të rritjes ekonomike të Europës.
“Ky rajon do të jetë pjesë e së ardhmes së Europës. Pyetja për investitorët është se kush do të jetë këtu i pari. Ballkani Perëndimor e ka vendin në zemër të Europës dhe mund të bëhet një nga burimet e reja të rritjes së saj ekonomike”, tha Hoxha.
Ministri u ndal edhe te ecuria e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke ritheksuar objektivin për përmbylljen e tyre deri në fund të vitit 2027.
“Dy vjet më parë, Shqipëria ende s’kishte hapur asnjë kapitull negociues. Sot i kemi hapur të 33 kapitujt dhe kemi mbyllur përkohësisht katër. Sipas metodologjisë së re, ishim vendi i parë që përmbushi kriteret e ndërmjetme për sundimin e ligjit. Objektivi ynë është t’i përmbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027”, deklaroi ministri.
Hoxha bëri të ditur se Shqipëria ka siguruar tashmë mbi 212 milionë euro nga parafinancimi dhe pagesat e lidhura me rezultatet në kuadër të Planit të Rritjes, ndërsa së shpejti pritet një tjetër pagesë me vlerë të përafërt.
Ai veçoi ndërlidhjen infrastrukturore, energjinë dhe teknologjinë si tri fusha që ofrojnë mundësi investimi në Shqipëri, duke përmendur Korridorin VIII, investimet në energjinë diellore, inteligjencën artificiale dhe modernizimin e agrobiznesit.
Ministri kërkoi që konferenca të mos mbetet vetëm në nivel diskutimesh, por të pasohet nga projekte dhe marrëveshje konkrete.
“Suksesin e kësaj konference do ta masim me numrin e marrëveshjeve që do të nënshkruajmë. Gjeografia na bëri europianë. Reformat po na bëjnë konkurrues. Investimet do ta bëjnë këtë përparim të pakthyeshëm. Horizonti është i hapur. Drejtimi është i qartë. Koha për të investuar është tani”, tha Hoxha.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale disa momente nga dita e parë e Konferencës së Dytë të Investimeve BE- Ballkani Perëndimor, e cila po zhvillohet në Tiranë. Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë ka publikuar pamje nga punimet e këtij forumi të rëndësishëm ekonomik.
Rama shprehet se Tirana po mirëpret mbi 600 investitorë nga Europa dhe rajoni, si edhe figura të shquara të politikës europiane e ekonomistë të mirënjohur.
Kryeministri shton se punimet e konferencës vijojnë edhe ditën e sotme, me pjesëmarrjen e të ftuarve të tjerë, panele diskutimi dhe takime pune, që synojnë nxitjen e bashkëpunimit e investimeve të huaja në rajon.
“Mirëmëngjes dhe me disa fragmente nga dita e parë e Konferencës së Dytë të Investimeve BE – Ballkani Perëndimor, ku Tirana po mirëpret mbi 600 investitorë nga Europa e rajoni, si edhe figura të shquara të politikës europiane e ekonomistë të mirënjohur, e ku sot konferenca vijon me të tjerë të ftuar, diskutime e takime pune, ju uroj një ditë të mbarë”, shkroi Rama në Facebook.
Punimet e forumit nisën dje në orën 09:15. Në qendër të diskutimeve janë sektorët me potencial të lartë zhvillimi, si energjia, infrastruktura, transporti dhe ndërlidhja rajonale, turizmi, teknologjia dhe kapitali njerëzor.
Në mesin e figurave të njohura që marrin pjesë në forum janë ish-presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe ish-kryeministrat italianë Massimo D’Alema dhe Enrico Letta.
Përmes paneleve të nivelit të lartë, takimeve të drejtpërdrejta mes bizneseve (B2B) dhe sesioneve të posaçme për krijimin e partneriteteve, forumi synon të shndërrojë potencialin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në projekte dhe mundësi konkrete investimi.
Forumi përmbyllet sot, me fjalimet e kryeministrit Edi Rama dhe komisioneres së BE-së për Zgjerimin, Marta Kos.










Komente
Komento