Një pjesë e Shqipërisë udhëtoi drejt Skocisë përmes muzikës, këngëve dhe valleve tradicionale. Për herë të parë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore u ngjit në një skenën Skoceze, përmes koncertit artistik “Shqipëria në sytë e Bajronit”, i mundësuar nga  “Gratë e Fuqizuara të Diasporës” (Empowered Women of Diaspora).

Në sallën historike “Sallat e Asamblesë” (Assembly Rooms) në Edinburg, artistët sollën për publikun shqiptar, skocez dhe atë ndërkombëtar një pjesë të pasurisë sonë kulturore. Përmes këngëve, valleve, kostumeve popullore dhe interpretimit skenik, u përcollën traditat dhe identiteti shqiptar, në një mbrëmje që ndërthurte artin me historinë dhe figurën e Lord Bajronit

Spektaklit iu dha edhe një dimension historik dhe artistik përmes figurës së poetit anglez Lord Bajron dhe lidhjes së tij me Shqipërinë. Historia e tij u soll në skenë përmes interpretimit të aktorit Robert Ëilton, i cili mishëroi figurën e poetit, duke ndërthurur artin skenik me trashëgiminë historike shqiptare.

Realizimi i këtij projekti u mbështet edhe në bashkëpunimin institucional, me synimin për të promovuar kulturën shqiptare dhe për të forcuar lidhjet me diasporën.

Në përfundim, duartrokitjet e publikut shoqëruan një mbrëmje që bashkoi shqiptarët dhe të huajt përmes artit. Një prezantim që e çoi Shqipërinë përtej kufijve të saj, duke dëshmuar se kënga, vallja dhe trashëgimia kulturore mbeten një gjuhë që kuptohet kudo.