ODIHR i ka kërkuar Komisionit të Reformës Zgjedhore sqarime mbi kalendarin e punës, angazhimin e ekspertëve dhe mundësinë e zgjatjes së mandatit të tij.
Në letrën drejtuar bashkëkryetarëve të komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, ODIHR kërkon të dijë se kur pritet të angazhohen ekspertët, cilat janë etapat kryesore të procesit dhe kur parashikohet të përfundojnë projektligjet.
Gjithashtu, institucioni kërkon të informohet mbi aktet ligjore dhe çështjet konkrete për të cilat kërkohet kontributi i ekspertëve, si dhe rekomandimet e ODIHR-it që Komisioni synon të adresojë.
“A mund të na bëni me dije kalendarin e parashikuar për angazhimin e ekspertëve, përfshirë etapat kryesore dhe datën e pritshme për përfundimin e projektligjeve? A mund të specifikoni aktet konkrete në projekt dhe çështjet për të cilat kërkohet kontributi i ekspertëve, përfshirë rekomandimet e ODIHR-it që Komisioni synon të trajtojë?
Duke pasur parasysh se mandati i Komisionit përfundon më 30 nëntor 2026, a mund të na sqaroni nëse ky afat është përfundimtar apo nëse parashikohet një zgjatje e tij? Nëse po, për çfarë periudhe? Duke marrë parasysh kohën e kufizuar që ka mbetur, do ta vlerësonim një përgjigje sa më të shpejtë për këto çështje, në mënyrë që të mund të identifikojmë formën më të përshtatshme të mbështetjes”, thuhet në letër.










