Zbardhet vrasja e ish-policit në Shkodër, dy persona nën akuzë, njëri i dënuar, tjetri në “arrest shtëpie”
Policia e Shkodrës ka zbardhur dhe dokumentuar vrasjen me armë zjarri të ish-policit Frrok Lleshaj, ngjarje e ndodhur më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram, në Vau të Dejës.
Në vijim të hetimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë siguruar prova për identifikimin dhe dokumentimin ligjor të dy personave të dyshuar si autorë të vrasjes.
Në bazë të provave të administruara, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit K. Y. (Sh.) dhe Vincesk Pirolin. Ky i fundit u arrestua në tetor 2026, së bashku me dy persona të tjerë, në kuadër të operacionit policor “Detajet”, pasi dyshohej se po përgatitej një atentat në zonën e Lezhës. Më 19 nëntor, Apeli ndryshoi masën e sigurisë për të, duke e kaluar në arrest shtëpie.
Dy personat dyshohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas policisë, K. Y. (Sh.) ndodhet aktualisht i ndaluar për një vepër tjetër penale, ndërsa Vincesk Piroli është nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, po për një çështje tjetër penale.
Hetimet janë kryer nga strukturat e Policisë së Shkodrës në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes së ish-policit Frrok Lleshaj.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



