Pasi e përjashtuan nga grupi i PS, Spiropalin e çojnë në krahun e opozitës
Elisa Spiropali ka ndryshuar vendin e saj në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, duke u pozicionuar tashmë në fund të saj, në krahun ku qëndrojnë deputetët e opozitës.
Lëvizja vjen pas përjashtimit të saj nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, duke shënuar një tjetër zhvillim në përplasjen politike mes ish-kryetares së Kuvendit dhe drejtuesve të mazhorancës.
Deri më tani, Spiropali ka qenë e ulur në radhët e deputetëve socialistë, por pas vendimit për largimin e saj nga grupi parlamentar, ajo është zhvendosur në një sektor tjetër të sallës, larg ish-kolegëve të saj të mazhorancës.
Përjashtimi i saj nga strukturat drejtuese të Partisë Socialiste u bë gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së në Gjirin e Lalzit. Ndërsa dy ditë më parë, kryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, bëri publik edhe vendimin për përjashtimin e Spiropalit nga grupi parlamentar.
Zhvendosja e saj në sallën e Parlamentit vjen në një moment kur raportet me drejtuesit e Partisë Socialiste janë përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të vijojë pozicionimi i saj politik dhe parlamentar pas këtij vendimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



