PD dërgon reformën territoriale në Kushtetuese, Bardhi kërkon shfuqizimin dhe pezullimin e ligjit
Partia Demokratike ka vendosur të kundërshtojë në Gjykatën Kushtetuese reformën e re territoriale, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit dhe pezullimin e zbatimit të tij. Kërkesa është bërë publike nga Gazment Bardhi, i cili ka paraqitur argumentet e opozitës kundër ndryshimeve të miratuara për ndarjen administrativo-territoriale të vendit.
Sipas Bardhit, një prej problemeve kryesore që shoqëron miratimin e ligjit lidhet me mungesën e shumicës së kërkuar kushtetuese. Ai pretendon se pavlefshmëria e tri votave e lë vendimmarrjen pa mbështetjen e 84 votave të nevojshme për miratimin e saj.
Një tjetër argument i ngritur në padinë e Partisë Demokratike lidhet me mungesën e konsultimit me komunitetet lokale. Sipas opozitës, në 41 nga 61 bashkitë nuk është dokumentuar marrja e mendimit të banorëve për ndryshimet e propozuara në ndarjen territoriale.
PD pretendon gjithashtu se procesi dhe përmbajtja e ligjit bien ndesh me nenin 5 të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, i cili parashikon konsultimin paraprak të komuniteteve lokale për ndryshimet në kufijtë territorialë të njësive të qeverisjes vendore.
Bardhi ka argumentuar se reforma e re nuk garanton autonominë e pushtetit vendor, por përkundrazi, sipas tij, favorizon përqendrimin e kompetencave dhe centralizimin e vendimmarrjes.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, opozita ngre edhe shqetësimin për pasojat që mund të sjellë zbatimi i ligjit në organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Sipas Bardhit, nëse ligji nuk pezullohet, mund të krijohen vështirësi serioze për përgatitjen dhe zhvillimin në kohë të procesit zgjedhor.
Një tjetër pikë e kundërshtimit ka të bëjë me pretendimin për mospërputhje mes ligjit të ri territorial, Kodit Zgjedhor dhe legjislacionit për vetëqeverisjen vendore. Sipas PD-së, këto përplasje ligjore mund të krijojnë paqartësi në funksionimin e njësive vendore dhe në administrimin e zgjedhjeve të ardhshme.
Përmes kësaj padie, Partia Demokratike kërkon ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e reformës, duke kërkuar fillimisht pezullimin e saj dhe më pas shfuqizimin e ligjit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



