Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, është zotuar t'i japë çdo fëmije në SHBA dy aksione në SpaceX, kompaninë e hapësirës dhe inteligjencës artificiale që ai drejton, me një vlerë totale prej gati 18 miliardë dollarësh. Në një postim në X, platformën e rrjeteve sociale që ai zotëron, Musk tha se fëmijët do të marrin një aksion nga vetë kompania dhe një tjetër nga ai personalisht. SpaceX njoftoi të mërkurën se do të kontribuojë me një aksion të sapolëshuar të klasit A për çdo "Llogari Trump" që është aktualisht aktive, dhe se Musk do të dhurojë një sasi të barabartë aksionesh. Programi i "Llogarive Trump" u krijua për t'i dhënë çdo amerikani nën moshën 18 vjeç, pjesëmarrje në tregun e aksioneve, me qëllim ndihmën në krijimin e pasurisë që në moshë të hershme. Shtëpia e Bardhë njoftoi muajin e kaluar se janë hapur pothuajse 70 milionë llogari të tilla. Të mërkurën, aksionet e SpaceX e mbyllën ditën me vlerën 127,44 dollarë, çka e çon vlerën e këtij zotimi në afro 18 miliardë dollarë.