E enjte, 26 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

PD dërgon në Kushtetuese reformën territoriale, kërkon pezullimin e ligjit para zgjedhjeve të 2027-ës

Partia Demokratike ka kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese reformën territoriale, duke kërkuar shfuqizimin dhe pezullimin e ligjit për ndarjen e re administrativo-territoriale të vendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se ligji është miratuar pa shumicën e nevojshme kushtetuese prej 84 votash, pasi sipas tij, pavlefshmëria e tri votave e bën të cenueshëm procesin e miratimit.

Njoftimi:

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar dje në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e ligjit për ndarjen administrativo-territoriale, i cili redukton numrin e bashkive nga 61 në 46. Reforma territoriale u kundërshtua gjerësisht nga autoritetet vendore, përfshirë edhe bashkitë e drejtuara nga Partia Socialiste.

Reklamë

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese evidentohen katër shkelje kryesore kushtetuese:

1. Miratimi i ligjit pa shumicën e kërkuar nga Kushtetuta, për shkak të pavlefshmërisë së tre votave. Ligji u deklarua i miratuar me 85 vota, por referohen prova se në vend të deputetes Mirela Kumbaro ka votuar një punonjëse e administratës së Kuvendit, ndërsa deputetët Zeqine Çaushi dhe Tedi Mula kanë marrë mandatin në kundërshtim me procedurat kushtetuese dhe ligjore. Për rrjedhojë, ligji ka marrë vetëm 82 vota të vlefshme, nga 84 që kërkon Kushtetuta.

2. Ndryshimi i kufijve të bashkive pa marrë paraprakisht mendimin e qytetarëve. Në 41 nga 61 bashkitë mungon dokumentimi i marrjes së mendimit të banorëve. Edhe raporti i 7 tetorit 2026 i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës evidenton se konsultimi ka nisur në një fazë tepër të avancuar të reformës dhe nuk duket se ka garantuar pjesëmarrjen kuptimplotë dhe në kohën e duhur të komuniteteve të prekura. Sipas padisë, ligji shkel edhe nenin 5 të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, i cili ndalon ndryshimin e kufijve territorialë pa konsultimin paraprak të komuniteteve vendore të prekura.

3. Cënimi i autonomisë vendore dhe i decentralizimit të pushtetit. Reduktimi i numrit të bashkive centralizon më tej pushtetin, largon shërbimet nga qytetarët dhe shpërfill qëndrimet e komuniteteve dhe të autoriteteve vendore të prekura nga reforma.

4. Cënimi i sigurisë juridike. Ligji i ri krijon përplasje me Kodin Zgjedhor dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore, duke krijuar paqartësi për organizimin, përfaqësimin dhe zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore.

Përveç shfuqizimit të plotë të ligjit, deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij dhe shqyrtimin me përparësi të çështjes, për shkak të interesit të lartë publik dhe afërsisë së zgjedhjeve vendore, të dekretuara për 9 maj 2027. Nëse përgatitjet për zgjedhjet nisin mbi bazën e hartës së re territoriale me 46 bashki dhe Gjykata Kushtetuese e shfuqizon më pas ligjin, mund të mos ketë kohë të mjaftueshme për organizimin e tyre në 61 bashkitë ekzistuese. Pezullimi i ligjit synon të shmangë pikërisht këtë rrezik.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.