Kryesore

Berisha dhe Balla përplasen keq në Kuvend/ Socialisti: Je frymëzues i dhunës! Kreu i PD: Ke porositur vrasje. Ngrije kokën o kriminel!

11:05 - 26.11.26 GSH Gazetar
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Seanca plenare në Kuvend është shoqëruar me përplasje të forta verbale mes kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Gjatë debatit, Balla e akuzoi Berishën se nxit dhunën, ndërsa ky i fundit iu kundërpërgjigj me akuza të rënda, duke e cilësuar si person që ka porositur vrasje. “Ngrije kokën, o kriminel!”, iu drejtua Berisha deputetit socialist, duke e përshkallëzuar edhe më tej debatin në sallën e Kuvendit.

Akuzat e Ballës
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka akuzuar PD-në dhe Sali Berishën se po nxisin dhunën dhe se kanë braktisur angazhimin për integrimin europian të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla ironizoi deklaratat e Tomorr Alizotit për sekretarët e Partisë së Punës, duke iu drejtuar opozitës se i vetmi sekretar i asaj partie është kreu i saj, Sali Berisha. “E dëgjuam me vëmendje nënkryetarin e grupit të PD-së, i cili në fund përmendi edhe sekretarët e Partisë së Punës. I vetmi sekretar i Partisë së Punës është kreu i partisë tënde. Ta gëzoni, ta mbash me shëndet. Sekretarët e partisë mos i shihni nga ne. PS e ka dënuar diktaturën më 12 qershor 1991”, deklaroi Balla.

Ai theksoi se socialistët janë të angazhuar prej vitesh në procesin e integrimit europian dhe ftoi edhe opozitën të bëhet pjesë e këtij projekti, duke përmendur mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit me praninë e komisioneres europiane Marta Kos. Balla kritikoi PD-në për mungesën e mbështetjes ndaj nismave ligjore që lidhen me përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian dhe përmbushjen e reformave të kërkuara.

“Është dita që edhe PD të punojë me ne për këtë projekt historik. Jeni të mirëpritur. Sot mbahet Këshilli Kombëtar i Integrimit, me praninë e Marta Kos, dhe mesazhi i përbashkët i forcave politike duhet të jetë puna e të gjithëve për të çuar përpara këtë program”, u shpreh ai.

Më tej, kreu i grupit parlamentar socialist akuzoi opozitën se po përdor retorikën e dhunës në vend të angazhimit politik, duke deklaruar se sipas tij, Sali Berisha është personi që frymëzon dhunën në Shqipëri.

“Ende PD nuk ka votuar qoftë edhe një ligj të vetëm që lidhet me detyrat e përafrimit të legjislacionit me BE-në dhe përmbushjen e reformave. Koha është tani që të lëmë pas diskutimet pa vlerë, retorikën pa vlerë dhe dhunën. Qytetarët shqiptarë nuk i merrni dot për budallenj. Dhunën në rrugë kundër institucioneve, në 35 vite, e frymëzon në Shqipëri vetëm një njeri. Është sekretari i Partisë së Punës brenda jush. Distancohuni nga dhuna”, deklaroi Balla.

Në përfundim, ai përdori një tjetër gjuhë të ashpër ndaj demokratëve, duke e cilësuar PD-në si një strukturë që, sipas tij, është kthyer në një qendër prodhimi të mjeteve piroteknike të përdorura në protesta.

“PD është sot e vetmja magazinë prodhimi molotovësh. E keni degjeneruar PD-në në një fabrikë prodhimi artizanal molotovësh. Ligjin për tubimet, qëndrimin tonë do ta dëgjoni, por sot është ditë e madhe për Shqipërinë, votohet buxheti më i madh ndonjëherë, gjithë veshët e shqiptarëve janë aty.”, përfundoi Balla.

Kundërpërgjigjja e Berishës
Kreu i PD-së, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit u kundërpërgjigj me akuza, në drejtim të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Ai e cilësoi Ballën si person të lidhur me krimin, ndërsa shkoi deri aty sa e etiketoi atë me termin ‘kriminel’. Gjithashtu, Berisha akuzoi Ballën se ka porositur vrasje.

“Pas parlamentit të 45-ës, ky është parlamenti më kriminal që ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri. Nëse në 45 zunë vend në këtë sallë vrasës serialë, sot në këtë sallë janë krikminelë ordinerë, trafikant, porositës vrasës, njëri prej tyre Taulant Bego Yaris, me disa mbiemra. Dokumentet shtetërore për këtë kriminel që porosit vrasje tregojnë se në 2017 një gjykatëse faqezezë dhe një prokuror faqezi zhdukën regjistrimet që faktojnë se krimineli Taulant Balla kishte porositur vrasje. Pas vazhdoi porositë për vrasje. Çojë kokën, çojë kokën lart. Se çon dot se ke fytyrën e kriminelit. Ky është personi që poshtë dokumenteve shtetërore…i atillë është ai. Ky e ka vendin në burg. Telefoni i tij është 399, me të cilin janë porositur vrasje. Me aferën Bego Yarsit, është regjistruar kur si ministër…ça i thotë ajo…Shqiptarët duhet të kuptojnë se ky është parlament krimi për tju përcjellë ju në kanalet e zeza të historisë. Mos ik se shqiptarët duan t’i shohin dokumentet. Më 20/2/2020 Target informon Pinin se kishin rënë dakord mes tyre që mos t’i kërkonin Taulant Bego Yarsit…Taos, për ty o kriminel…. I thotë; kemi rënë dakord me Taon. Asnjë tender përveç atyre që kishin rënë dakord të kërkonin. Ky sms iu përcoll kriminelit Tao dhe i dhanë afat deri në dhjetor. Tao iu përgjigj kësaj garancie”, tha ai.

Sakaq, Peleshi paralajmëroi Berishën për fjalorin, ndërsa kreu i PD-së bllokoi për disa minuta foltoren dhe foli pa mikrofon.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.