Nga Boldnews.al
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) është përfshirë në një qerthull procedurial për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, ndërkohë që mandatit i kryeprokurorit aktual, Olsian Çela, përfundon në 5 dhjetor 2026.
Prej korrikut të këtij viti, 11 anëtarët e KLP-së nuk kanë arritur të nisin procedurat thelbësore për kontrollin dhe vlerësimin e 5 kandidatëve që synojnë drejtimin e institucionit qendror të Akuzës për 7 vitet e ardhshme, për shkak të një serie kërkesash të bëra nga kandidatët, por edhe vetë mes anëtarëve, për përjashtimin e njëri-tjetrit nga procesi i përzgjedhjes së numrit Një të Prokurorisë.
Në periudhën shtator-nëntor, debatet e ashpra mes anëtarëve janë shoqëruar me depozitimin e kërkesave, në të cilat anëtarë të ndryshëm kërkojnë përjashtimin e një apo më shumë kolegëve. Këto situata, deri diku absure, morën një drejtim me vendimet e Gjykatës Administrative të Apelit.

Por, problemet nuk kanë përfunduar. Një prej kandidatëve ka kërkuar së fundmi përjashtimin e anëtarit Olger Eminaj. Në thelbin e kërkesës qëndron dyshimi për konflikt interesi që ka ky anëtar me një tjetër kandidate për Kryeprokurore, Rovena Zoto.
Ndryshe nga kërkesat për përjashtim që dorëzuan anëtarët e KLP-së ndaj njëri-tjetrit, kjo kërkesë është e një natyre shumë më të veçanta dhe vendos pikëpyetje serioze mbi procesin.
“Konflikt interesi”
Rikthehemi pak në kohë. Disa muaj më parë, një emision investigativ transmetoi disa mesazhe që anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Olger Eminaj, zhvillonte me një shtetase. Zonja ishte ankuar në KLP për një vendimmarrje të prokurores së Tiranës, Rovena Zoto.

Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Eminaj, ishte caktuar relator për shqyrtimin e ankesës. Por, sipas të dhënave të emisionit, Olger Eminaj e kishte shfrytëzuar marrëdhënien institucionale me zonjën për ta shndërruar në raport personal, intim. Ndërkohë, gjithnjë sipas të dhënave të publikuara në emision, anëtari nuk kishte kryer verifikime për prokuroren Rovena Zoto.
Tashmë, Rovena Zoto është kandidate për Prokurore të Përgjithshme dhe Olger Eminaj është një prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që do të vendosë për fatin e saj. Kjo situatë, në optikën e një prej kandidatëve të tjerë në garën për Prokuror të Përgjithshëm, përbën konflikt interesi.
Në vlerësimin e ankuesit/ankueses, Olger Eminaj duket që ka raporte positive me kandidaten Rovena Zoto dhe kjo e bën të papërshtatshëm për të marrë pjesë në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Ri.
KLP dhe prova e integritetit
Këshilli i Lartë i Prokurorisë përballet kështu me një çështje që prek paanshmërinë dhe integritetin e të gjithë procesit. Rrethanat e këtij rasti ngrenë pikëpyetje që shkojnë përtej përgjegjësisë individuale të Eminajt dhe prekin drejtpërdrejt besueshmërinë e vendimmarrjes së Këshillit.
Në mars të këtij viti, emisioni investigativ “Stop” publikoi komunikime me përmbajtje intime që dyshohet se Olger Eminaj kishte shkëmbyer me një qytetare, ndërkohë që ankesa e saj ishte objekt shqyrtimi pranë KLP-së.
Denoncimi solli reagimin e Këshillit, nisjen e hetimit disiplinor nga ILD-ja dhe, sipas raportimeve mediatike, angazhimin e organeve të hetimit penal.

Por një element i kësaj historie merr sot një rëndësi krejt tjetër: identiteti i prokurores ndaj së cilës ishte drejtuar ankesa e qytetares. Bëhet fjalë për Rovena Zoton, aktualisht një prej kandidateve për Prokuror të Përgjithshëm. Sipas informacioneve të siguruara, Eminaj ishte caktuar relator për shqyrtimin e kësaj ankese.
Pikërisht gjatë kësaj periudhe dyshohet se kanë ndodhur komunikimet që më pas u bënë objekt i denoncimit mediatik dhe i procedimit disiplinor ndaj tij.
Sot, rrethanat e shqyrtimit të asaj ankese lidhen me procedimin ndaj vetë Eminajt, ndërsa prokurorja ndaj së cilës ishte drejtuar ankesa konkurron për një funksion, për të cilin Eminaj ka kompetencën ta vlerësojë, ta pikëzojë dhe të ndikojë në renditjen e saj.
A mund të konsiderohet i shkëputur nga interesat personale vlerësimi që Eminaj do t’i bëjë një kandidateje, emri i së cilës lidhet me rrethanat që çuan në procedimin ndaj tij?
Neni 30 i Kodit të Procedurave Administrative parashikon pengesa ligjore për pjesëmarrjen në vendimmarrje, ndër të tjera, kur ekzistojnë interesa personale ose marrëdhënie që krijojnë arsye serioze për të dyshuar mbi paanshmërinë e vendimmarrësit.
Çështja nuk është të paragjykohet nëse Eminaj do ta favorizojë apo penalizojë Zoton. Çështja është nëse ekzistojnë garanci objektive që vlerësimi i tij të mos ndikohet nga rrethanat personale në të cilat ndodhet.
Në një garë ku pikëzimi është krahasues, një vlerësim i njëanshëm, në favor apo në disfavor të një kandidati, mund të ndikojë në renditjen e të gjithë kandidatëve dhe në rezultatin përfundimtar të procesit.
Mandati i Eminaj në pikëpyetje
Më 18 qershor 2026, në Gjykatën Kushtetuese është regjistruar kërkesa e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj Olger Eminajt.
Sipas raportimeve të BIRN-it, ndër shkeljet e shqyrtuara gjatë hetimit disiplinor përfshihen mosrespektimi i rregullave të konfliktit të interesit, përdorimi i pozitës për përfitime të pajustifikuara dhe sjellje që diskreditojnë figurën e anëtarit të Këshillit e dëmtojnë besimin e publikut.
Por përtej çështjes së mandatit, ekziston edhe një interes tjetër i mundshëm, që lidhet me të ardhmen profesionale të Eminajt. Pas përfundimit të mandatit në Këshill, nëse ruan statusin e magjistratit, Eminaj mund të rikthehet në sistemin e prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm.

Pra, pikërisht në sistemin, drejtuesin më të lartë të të cilit po merr pjesë të përzgjedhë sot. Kjo rrethanë merr një peshë të veçantë në kushtet kur, krahas procedimit disiplinor, mediat kanë raportuar edhe për verifikime penale ndaj tij.
Vetë rikthimi në sistemin e prokurorisë nuk përbën automatikisht konflikt interesi. Por pasiguria e mandatit, perspektiva e karrierës dhe procedurat ndaj Eminajt janë rrethana që duhen vlerësuar së bashku.
Nuk ka të dhëna që provojnë se Eminaj synon të favorizojë një kandidat të caktuar. Megjithatë, mbetet pyetja nëse, në këto kushte, ai mund të ofrojë garancitë e nevojshme të paanshmërisë në përzgjedhjen e drejtuesit të sistemit ku mund të vijojë karrierën e tij.
Shumica e votave përballë ligjshmërisë
Pikëpyetjet mbi mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Eminaj nuk kufizohen vetëm te procedimi disiplinor ndaj tij dhe gara për kryeprokurorin.
Anëtari i Këshillit ndodhet gjithashtu në qendër të një tjetër problematike procedurale, që prej disa ditësh shoqëron shqyrtimin e kërkesës për kalimin e funksionit të Nëpunësit Autorizues te kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani.
Në njoftimin zyrtar për mbledhjen plenare të 19 nëntorit 2026, vetë KLP-ja konfirmon se çështja e Nëpunësit Autorizues është shtuar në rendin e ditës në nisje të seancës.
Sipas informacioneve të siguruara, Eminaj pretendohet se ka marrë përsipër atribute që i përkasin relatorit të çështjes, duke anashkaluar procedurën ligjore të shqyrtimit të saj dhe duke u mbështetur në shumicën e votave brenda Këshillit.
Mbi çfarë baze ligjore janë ushtruar këto kompetenca? A ekziston një akt formal që autorizon Eminajn të marrë përsipër atributet e relatorit? A është respektuar procedura përkatëse përpara se çështja t’i nënshtrohej votimit?
Këto pretendime kërkojnë verifikim përmes akteve, procesverbaleve dhe regjistrimeve të mbledhjeve të Këshillit.
Shumica numerike e votave nuk mund të zëvendësojë ligjshmërinë e procedurës. Në një organ kolegjial, shumica është mekanizëm vendimmarrjeje, jo burim kompetencash që ligji nuk i njeh.
Nëse shkeljet e pretenduara konfirmohen, ato do të përbënin një element tjetër që duhet marrë në konsideratë në analizën e mënyrës se si Eminaj ushtron funksionin e tij.
Aq më tepër kur i njëjti anëtar është ngarkuar të vlerësojë integritetin, paanshmërinë dhe aftësitë profesionale të kandidatëve për drejtimin e organit të akuzës.

Një prej kontradiktave më të forta të rastit Eminaj lidhet me qëndrimin e tij ndaj procedimeve disiplinore të prokurorëve të tjerë.
Sipas informacioneve të siguruara, pas nisjes së procedimit disiplinor ndaj tij, Eminaj ka hequr dorë nga shqyrtimi i kërkesave të ILD-së për procedimin disiplinor të magjistratëve të tjerë.
Por ndërsa mësohet se është tërhequr nga kjo vendimmarrje, ai vijon të jetë pjesë e procesit të përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, ku ndër kriteret themelore të vlerësimit janë integriteti moral, ndershmëria, dinjiteti, paanshmëria dhe reputacioni publik i kandidatëve.
Pikërisht ato cilësi, respektimi i të cilave është vënë në pikëpyetje edhe në procedimin disiplinor ndaj vetë anëtarit.
Nëse këto heqje dorë konfirmohen dokumentarisht, mbi çfarë argumenti juridik mbështetet ky dallim?
Përse rrethanat që mësohet se kanë justifikuar tërheqjen e Eminajt nga procedimet disiplinore nuk konsiderohen pengesë edhe për pjesëmarrjen në garën për funksionin më të lartë të sistemit të prokurorisë?
KLP-ja duhet të shpjegojë nëse ekziston një dallim juridik ndërmjet këtyre procedurave, që justifikon qëndrimet e ndryshme të anëtarit. Ushtrimi formal i mandatit nuk mund të zëvendësojë garancitë e paanshmërisë, as mungesa e një përgjigjeje nuk mund të zëvendësojë arsyetimin juridik.
Rreziku për procesin
Përtej pozitës individuale të Eminajt, pjesëmarrja e tij në garë ngre një çështje me pasoja potencialisht shumë më të gjera: vlefshmërinë juridike të vendimmarrjes së Këshillit.
Nëse konstatohet ekzistenca e një pengese ligjore apo e një konflikti interesi, pjesëmarrja e anëtarit në vlerësimin dhe pikëzimin e kandidatëve mund ta ekspozojë aktin përfundimtar ndaj kundërshtimeve gjyqësore dhe pretendimeve për pavlefshmëri.
Pas muajsh shtyrjesh, kërkesash për përjashtim dhe përplasjesh gjyqësore, KLP-ja rrezikon të prodhojë një vendimmarrje që, në vend që t’i japë fund ngërçit, mund të hapë një tjetër betejë ligjore.
Prezumimi i pafajësisë së Eminajt nuk vihet në diskutim. As përgjegjësia e tij disiplinore nuk mund të konsiderohet e provuar përpara një vendimi përfundimtar. Por shkarkimi nga detyra dhe përjashtimi nga vendimmarrja janë dy çështje juridikisht të ndryshme.
E para lidhet me përgjegjësinë individuale të anëtarit, ndërsa e dyta me mbrojtjen e paanshmërisë dhe integritetit të procesit.
Përjashtimi nga një vendimmarrje konkrete nuk është dënim. Është një mekanizëm parandalues që synon të mbrojë institucionin, palët e interesuara dhe besimin e publikut.
Përgjegjësia e Eminaj dhe KLP
Rasti Eminaj evidenton një problematikë që shkon përtej individit dhe prek vetë funksionimin e mekanizmave të kontrollit institucional. Përse duhet të jenë vazhdimisht kandidatët, qytetarët apo media ata që identifikojnë dhe denoncojnë konfliktet e mundshme të interesit?
Neni 31 i Kodit të Procedurave Administrative parashikon detyrimin e vetë funksionarit për të deklaruar pengesat ligjore për pjesëmarrjen në vendimmarrje.
Por përgjegjësia për garantimin e paanshmërisë nuk është vetëm individuale. Ajo është edhe kolegjiale.
KLP-ja duhet të shpjegojë nëse ka analizuar lidhjen ndërmjet procedimit disiplinor ndaj Eminajt dhe kandidaturës së Rovena Zotos, arsyet e tërheqjes së pretenduar të tij nga procedimet disiplinore, si dhe ndikimin që këto rrethana mund të kenë mbi paanshmërinë e vendimmarrjes.
Gjithashtu, Këshilli duhet t’u japë përgjigje pretendimeve mbi mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Eminaj në çështjen e Nëpunësit Autorizues.
Këto janë çështje që kërkojnë arsyetim juridik, transparencë dhe përgjegjësi institucionale, jo thjesht një shumicë votash.

Pas muajsh procedurash, kandidatët për kryeprokuror duhet ende të dëshmojnë integritetin, pavarësinë dhe meritat e tyre profesionale, ndërkohë që vetë vlerësuesit përballen me pikëpyetje mbi respektimin e këtyre standardeve.
Ky është paradoksi i garës për kryeprokurorin: institucioni që duhet të garantojë integritetin e drejtuesit të ardhshëm të organit të akuzës po vihet përballë nevojës për të garantuar integritetin e vetë vendimmarrjes së tij.
Gara për Prokuror të Përgjithshëm nuk është vetëm një test për kandidatët. Është, mbi të gjitha, një test për vetë Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Përpara se KLP-ja të vendosë se cili kandidat meriton të drejtojë prokurorinë shqiptare, duhet të bindë publikun se vetë ata që marrin këtë vendim respektojnë standardet që kërkojnë nga kandidatët.
Sepse një proces që nuk garanton besimin te vlerësuesit rrezikon të cenojë legjitimitetin e Prokurorit të Përgjithshëm të ardhshëm, përpara se ai të ketë marrë detyrën.












