Në një intervistë për “TNT Sports Brasil”, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, foli për Raphinha dhe mënyrën se si po menaxhohet ngarkesa e tij fizike. Gjermani vlerësoi përkushtimin e kapitenit brazilian, por theksoi se komunikimi mes trajnerëve të kombëtareve dhe atyre të klubeve duhet të përmirësohet:
“Kjo është mënyra e tij e të luajturit, qëndrimi dhe mentaliteti i tij. Gjithmonë jep gjithçka në fushë. Ajo që bëri kundër Villarrealit ishte e jashtëzakonshme. Vrapon shumë, përshkon kilometra të tëra dhe luan me intensitet të madh. I tillë është Rafa, kapiteni ynë”.
Më pas, ai pranoi se nuk ka komunikim me Carlo Ancelottin për menaxhimin e minutave të Raphinha në klub dhe kombëtare: “Nuk kam kontakte me të, kështu është. Njihemi, kemi qenë kundërshtarë në dy sezonet e fundit dhe kemi pasur marrëdhënie të mira edhe kur ai drejtonte Bayernin. Megjithatë secili i bën gjërat në mënyrën e vet dhe kjo nuk është kritikë. Është normale që çdo trajner të përqendrohet te skuadra e tij.
Gjithsesi, komunikimi më i mirë do t’i ndihmonte si lojtarët, ashtu edhe trajnerët. Ne jemi këtu për lojtarët, jo lojtarët për ne”.







