Lajmi i fundit

LIVE/ Seanca e Kuvendit - Diskutime për paketën fiskale dhe projekt buxhetin

‘Narcolanchas’/ Kartelet po përdorin skafe të shpejta për të ‘përmbytur’ Evropën me kokainë

‘Narcolanchas’/ Kartelet po përdorin skafe të shpejta për të ‘përmbytur’ Evropën me kokainë

13:36, 26/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Rory Tingle, DAILY MAIL

Kartelet e drogës po përdorin flota skafesh me fuqi të lartë, që operojnë në “tufa” prej dhjetëra mjetesh njëherësh, për të mposhtur rojet bregdetare dhe për të ‘përmbytur’ Evropën me kokainë.

Këto mjete lundruese kanë deri në katër motorë, me një fuqi të përgjithshme prej 1.200 kuaj fuqi, çka u mundëson të arrijnë shpejtësi deri në 80 nyje (92 milje në orë) – duke lënë lehtësisht pas mjetet lundruese të forcave të rendit.

Të drejtuara nga trafikantë jashtëzakonisht agresivë, të cilët ndonjëherë mbajnë edhe armë AK-47, ato po u mundësojnë karteleve të transportojnë sasi rekord kokaine drejt Evropës.

Këto skafe, të njohura si “narcolanchas” – një fjalë spanjolle që bashkon termat “narco” (narkotikë) dhe “lancha” (skaf) – operojnë në zonën detare mes Afrikës së Veriut dhe Spanjës.

Për dekada me radhë, kokaina është trafikuar kryesisht nga Amerika e Jugut, e fshehur në anije mallrash me kontejnerë që udhëtonin drejt Evropës Veriore.

Por, me shtimin e masave të sigurisë në porte të mëdha si Roterdami dhe Felixstowe, kartelet po përdorin gjithnjë e më shumë metoda më të hapura dhe më të rrezikshme, sipas një raporti të ri të organizatës Global Initiative against Transnational Organised Crime (GI-TOC).

Narcolanchas zakonisht nisen natën nga bregdeti verior i Marokut, të ngarkuara me kokainë nga Amerika e Jugut, përpara se të takohen në pika të paracaktuara, ku anije më të mëdha u sigurojnë karburant, furnizime dhe, nëse është e nevojshme, anëtarë të ekuipazhit.

Më pas, ato udhëtojnë me shpejtësi drejt bregdetit të Andaluzisë në Spanjë, për të zbarkuar në plazhe të izoluara, grykëderdhje lumenjsh dhe estuare, ku shpesh i presin vrojtues dhe automjete mbështetëse.

Kokaina transportohet më pas me shpejtësi drejt zonave të brendshme të vendit, për t'u shitur në vende të tjera, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar – tregu më i madh i Evropës për kokainën pluhur.

Trafikantët mbështeten te shpejtësia dhe numri i madh i mjeteve për t’iu shmangur forcave spanjolle të rendit.

Kur policia përpiqet të ndërhyjë, ata shpesh reagojnë në mënyrë agresive. Në vitin 2024, dy oficerë të Gardës Civile u vranë pasi një narcolancha me 1.200 kuaj fuqi përplasi skafin e tyre të patrullimit, i cili kishte vetëm 80 kuaj fuqi.

Sipas Ruggero Scaturro-s, analist i lartë në GI-TOC, forcat e rendit po përballen me një betejë që “nuk mund ta fitojnë”.

“Këto janë ndoshta kushtet më të këqija për policinë në luftën kundër trafikut të kokainës, sepse gjithçka është shumë e dukshme”, tha ai për gazetën The Independent.

“Nuk bëhet fjalë për fshehje. Narcolanchas qëndrojnë në det deri në një muaj. Lëvizin në mes të ditës – thjesht janë më të shpejta, më të fuqishme dhe më të dhunshme.”

Ministria e Brendshme e Spanjës deklaroi se deri më tani gjatë këtij viti janë sekuestruar 740 “mjete transporti” në kuadër të përpjekjeve kundër trafikut të drogës.

Por humbja e mjeteve lundruese, edhe në numër të madh, nuk përbën shqetësim të madh për kartelet.

Sipas të dhënave të OKB-së, prodhimi i kokainës në Amerikën e Jugut u katërfishua, duke arritur në 4.100 tonë në periudhën 2014–2024.

Kjo ofertë masive po përkon me një kërkesë rekord. Të dhënat e Ministrisë së Brendshme britanike tregojnë se në Angli dhe Uells janë konsumuar rreth 123 tonë kokainë gjatë vitit që përfundoi në korrik 2025, një rritje prej 26 për qind që nga fillimi i mbledhjes së të dhënave në vitin 2021.

Narcolanchas prodhohen në mënyrë të paligjshme, shpesh në Portugali. Ato u përdorën fillimisht nga kontrabandistët e hashashit, por tani po përdoren gjithnjë e më shumë për transportimin e kokainës, shpesh në sasi shumë të mëdha.

Në fillim të shtatorit, një skaf i ndaluar pranë Gran Canaria-s u zbulua se transportonte 3.360 kilogramë kokainë.

Për shkak të shpejtësisë me të cilën droga shpërndahet në Evropë, ajo mund të përfundojë në hundët e klientëve në një klub nate në Londër vetëm pak ditë pasi ka mbërritur në Spanjë.

Në maj, një anije mallrash e quajtur Arconian u ndalua pranë brigjeve të Saharasë Perëndimore, me më shumë se 30 tonë kokainë në bord.

Zyrtarët besojnë se kokaina ishte ngarkuar në Sierra Leone dhe se ishte planifikuar të merrej nga skafe pranë Ishujve Kanarie.

Raportimet sugjeruan se operacioni ishte organizuar nga Jos Leijdekkers, një bos holandez i trafikut të drogës, i cili jeton në këtë vend të Afrikës Perëndimore dhe është parë duke marrë pjesë në një shërbesë kishtare të Vitit të Ri, së bashku me familjen presidenciale të vendit.

Sipas një oficeri të Gardës Civile, i cili foli për GI-TOC, trafikantët janë bërë gjithnjë e më agresivë dhe më të guximshëm, pasi shpesh kanë “mjete më të mira, skafe më të mira dhe më të shpejta” se oficerët që përballen me ta.

Trafikantët po përdorin gjithnjë e më shumë armë zjarri, përfshirë pushkë AK-47.

“Ata janë të pamëshirshëm, nuk u bëhet vonë për asgjë dhe janë të armatosur”, tha zoti Scaturro.

“Ndryshimi më shqetësues është padyshim niveli i dhunës, thjesht sepse malli që transportojnë është më i shtrenjtë. Nevojiten më shumë investime dhe më shumë mbrojtje. Të trafikosh një ton hashash është një gjë, ndërsa të trafikosh një ton kokainë është krejt tjetër.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco