Platforma e blerjeve online Temu ka marrë përsipër të përshtatoj një sërë praktikash tregtare me legjislacionin europian për mbrojtjen e konsumatorit, njoftoi Komisioni Europian pas një shqyrtimi të mënyrës se si platforma ndërvepron me klientët, raporton Reuters. Angazhimet e Temu-t synojnë të adresojnë praktika që mund të mashtrojnë konsumatorët ose të ndikojnë në mënyrë të padrejtë në vendimet e tyre për blerje.
Komisioni veçoi disa praktika problematike: zbritje të rreme, komente të manipuluara, mesazhe që krijojnë ndjesinë e urgjencës për të blerë dhe mungesë informacionesh të qarta për produktet dhe shërbimet. Si pjesë të marrëveshjes, Temu është angazhuar të ndryshojë këto praktika për t’u përputhur me kërkesat e ligjit europian për mbrojtjen e konsumatorit.
Një nga ndryshimet e njoftuara lidhet me lojërat promocionale — përfshirë mekanizmat si rrotullimi i rrotës për të fituar oferta dhe për të hyrë në platformë — të cilat Temu ka pranuar t’i ndalojë kur ato shfrytëzohen si mekanizma të detyrueshëm ose si mjete presioni ndaj përdoruesve. Kompania ka premtuar gjithashtu të heqë mesazhet që ushtrojnë presion te konsumatorët për të përfunduar blerjet.
Përveç eliminimit të praktikave së zgjedhura, Temu është angazhuar të sigurojë informacion më të qartë dhe më të aksesueshëm në lidhje me shërbimin ndaj klientit, çmimet, pretendimet mjedisore dhe procesin e pagesës. Kompania ka pohuar se do ta bëjë më të lehtë edhe procesin e rimbursimit të parave për konsumatorët.
Një zëdhënës i Temu-t u shpreh se kompania është e kënaqur me arritjen e marrëveshjes dhe do të vazhdojë të punojë për rritjen e transparencës dhe përmirësimin e përvojës së blerjeve për konsumatorët në Europë. Lajmi u bë i ditur nga Komisioni Europian dhe u raportua nga Reuters.
