Një debat i ashpër është zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë mes kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në qendër të përplasjes ishin akuzat për pasurinë.
“Flet Taulanti për pasuritë e mia. Si ia bën atje te kulla e madhe? Ti, Taulant, kur del te kulla, ku ke apartamentin tënd 500 metra katror, sheh Tiranën dhe të duket vetja mbret. Me punë bëhet pasuria dhe jo me vjedhje. Kompanitë e mia kanë fitim 200 mln ero në vit, Taulant. Ti s’ke punuar një ditë në jetë, i ke pasuritë e fshehura”, u shpreh ai.
Balla e sfidoi Shehajn që të provojë deklaratën e tij, duke u shprehur se nëse rezulton e vërtetë, ai do të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit dhe nuk do të kthehet më në Kuvend.
“Ke dalë nga papafingoja e pallatit tënd dhe ke thënë se Balla ka një shtëpi prej 500 metrash katrorë. Nëse kjo rezulton e vërtetë, unë jap dorëheqjen nga mandati i deputetit, largohem nga kjo sallë dhe nuk vij më.
Nuk jam unë maskara si puna jote, sepse jam përballur dhe kam 21 vite në këtë sallë. Sikur të kisha qoftë edhe një fije floku keq, Sali Berisha do të më kishte vrarë para teje. Sikur të kisha bërë qoftë edhe një gabim të vetëm, të sfidoj.
Unë jam subjekt i deklarimit të pasurisë që prej vitit 2003. Për atë apartament ku jetoj me familjen time, do të më duhet të punoj deri në vitin 2044 për të shlyer kredinë. Kam edhe 18 vite të tjera për ta shlyer. Ai apartament nuk është imi, por i bankës. Kur ta shlyej kredinë, do të jetë shtëpia e fëmijëve të mi.
Ti je matrapaz, ti pastron para, Agron Shehaj. Paratë e call center-ave i ke pastruar përmes vilave.
Sa u përket të tjerave, o zotëri, ja ku e ke grupin e PD-së. Ti i vodhe të dhënat e PD-së dhe, në zgjedhjet e vitit 2025, u dërgoje SMS anëtarëve të PD-së, duke u kërkuar votën. Për këtë çështje, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të ka dënuar. Më sfido dhe më thuaj se nuk je dënuar për këtë çështje.
Sepse ty në atë parti të futi Luli. Edhe kjo shifra 500 që përmend për shtëpinë time, e cila është tre herë më e vogël, të ka mbetur nga Luli.
O Agron, ma ka thënë Luli: “Agron Shehajn e futa në listë për deputet, sepse më dha 500 mijë euro”.
Edhe ti ke ardhur në politikë duke blerë mandatin. Ti hyre me para, bleve vendin me para. Dil dhe thuaj se nuk ia ke paguar Lulzim Bashës”, tha Balla.
