Nga Filipinet në familjet shqiptare, tregu i dadove ende nuk figuron në statistika

Në parqet e Tiranës, në këndet e lojërave apo pranë shkollave private, prania e dadove filipinase po bëhet gjithnjë e më e dukshme.
Punësimi i kujdestareve të huaja nga familjet shqiptare po merr vëmendje, duke nxjerrë në pah një segment të tregut të punës për të cilin ende mungojnë statistikat zyrtare.
Ndërsa deri pak vite më parë diskutimi për punonjësit e huaj në Shqipëri përqendrohej kryesisht te ndërtimi, industria dhe turizmi, ekonomia e kujdesit përbën një tjetër fushë me potencial punësimi për të huajt.
Këtij fenomeni i kushton vëmendje edhe raporti i fundit i UN Women, “Vlerësimi i punës së kujdesit: Përafrimi i Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian”, i cili ngre nevojën për evidentimin e punonjëseve të huaja të angazhuara në kujdesin për fëmijët, të moshuarit dhe punët e shtëpisë.
Nga afro 22 mijë shtetas të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri në fund të vitit 2024, rreth 8,360 ishin gra. Por sa prej tyre punojnë në familjet shqiptare, sa paguhen dhe në çfarë kushtesh punojnë, mbetet ende e panjohur.
Sipas UN Women, ndonëse mungojnë të dhënat mbi shpërndarjen sektoriale të punësimit, ka gjasa që një pjesë e punonjësve të huaj, veçanërisht grave, të jenë të angazhuar në shërbimet e kujdesit me pagesë, si kujdestare për fëmijët dhe të moshuarit apo punonjëse shtëpiake.
Një nga shqetësimet e ngritura në raport lidhet me kushtet e punësimit dhe mbrojtjen sociale të personave që ofrojnë shërbime kujdesi brenda familjeve.
Në vitin 2024, punësimi informal në sektorin jobujqësor në Shqipëri përbënte 24.7%. Sektori i kujdesit, ku dominojnë gratë, identifikohet ndër sektorët e ekspozuar ndaj informalitetit.
Punësimi informal i privon punonjësit nga një sërë përfitimesh, përfshirë kontributet për pension, sigurimin shëndetësor, lejen e paguar për arsye shëndetësore dhe mbrojtjen në rast aksidentesh në punë.
UN Women rekomandon që autoritetet shqiptare të mbledhin sistematikisht të dhëna mbi punësimin e shtetasve të huaj, duke identifikuar në mënyrë specifike ata që punojnë në sektorin e kujdesit.
Gjithashtu, raporti kërkon përfshirjen e punonjësve migrantë në politikat e punësimit dhe mbrojtjes sociale, garantimin e kushteve të denja të punës, shpërblimin e drejtë dhe përfaqësimin e tyre./ D.Hyka
Lexoni edhe:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









