Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një padi kundër reformës së re territoriale, duke kërkuar shfuqizimin dhe pezullimin e zbatimit të ligjit për ndarjen administrativo-territoriale të vendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se ligji është miratuar pa shumicën e kërkuar kushtetuese, pasi, sipas pretendimeve të opozitës, pavlefshmëria e tri votave e lë atë pa 84 votat e nevojshme në Kuvend.

Në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese, PD ngre gjithashtu pretendimin se procesi i reformës ka shkelur detyrimin për konsultimin me komunitetet vendore. Sipas padisë, në 41 nga 61 bashkitë e vendit nuk është dokumentuar mendimi i banorëve për ndryshimet territoriale.

Një tjetër argument i opozitës lidhet me shkeljen e nenit 5 të Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, i cili parashikon konsultimin paraprak me komunitetet e prekura nga ndryshimet në kufijtë territorialë të njësive të qeverisjes vendore.

Bardhi paralajmëroi se mospezullimi i ligjit mund të krijojë probleme në organizimin në kohë të zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Sipas tij, reforma e re krijon përplasje edhe me Kodin Zgjedhor dhe ligjin për vetëqeverisjen vendore.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së thekson se ndryshimet territoriale cenojnë autonominë vendore dhe çojnë drejt centralizimit të pushtetit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb