BE-ja nuk gjen dakordësinë për buxhetin 1.6 trilionë euro, Meloni: Jemi vite dritë larg një zgjidhjeje

Botë | 1 minutë më parë

Udhëheqësit e Bashkimit Europian janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje për buxhetin e përbashkët të bllokut për periudhën 2028-2034, i cili parashikon një fond prej afro 1.6 trilionë eurosh.

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi se palët janë shumë larg një dakordësie, duke kundërshtuar propozimin aktual të buxhetit. Ajo i bëri komentet për gazetarët përpara një samiti të jashtëzakonshëm të BE-së në Bruksel, raportoi Reuters.

“Jemi vite dritë larg një zgjidhjeje”, u shpreh Meloni, duke nënvizuar se Italia nuk është e gatshme të pranojë një marrëveshje që do të sillte më shumë kontribute financiare, por më pak përfitime për vendin.

“Ne nuk jemi të gatshëm të miratojmë një buxhet sipas të cilit do të na duhet të japim më shumë për të marrë më pak”, deklaroi kryeministrja italiane.

Buxheti i ri shumëvjeçar i BE-së për periudhën 2028-2034 është një nga çështjet kryesore të diskutimit mes vendeve anëtare, pasi përcakton mënyrën se si do të shpërndahen fondet europiane dhe kontributet financiare të shteteve për shtatë vitet e ardhshme.

Deklaratat e Melonit tregojnë për ndasitë mes vendeve anëtare lidhur me propozimin financiar, ndërsa negociatat pritet të vijojnë për të gjetur një kompromis mes prioriteteve të ndryshme kombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme