Reshjet e shiut vijojnë në të gjithë territorin e Qarkut Shkodër, ndërsa në disa zona janë evidentuar ndërprerje të herëpashershme të energjisë elektrike.
Sipas përditësimit të Prefekturës së Shkodrës, të publikuar në orën 12:00 të datës 26 nëntor, situata paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme dhe deri më tani nuk raportohen problematika madhore. Në Bashkinë Shkodër, grupet e punës janë në terren dhe në gatishmëri, duke vijuar pastrimin e konetave me qëllim garantimin e kullimit të ujërave të shiut.
Problematika me furnizimin me energji elektrike raportohen në Bashkinë Malësi e Madhe, ku janë evidentuar ndërprerje të herëpashershme në zonat e Kelmendit dhe Kastratit. Megjithatë, prurjet e lumenjve nuk paraqesin shqetësime.
Ndërkohë, në Bashkinë Vau i Dejës raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike në pothuajse të gjitha njësitë administrative. Ekipet e OSHEE-së dhe strukturat përgjegjëse vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve në linjat elektrike.
Në bashkitë Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika të lidhura me emergjencat civile.
Sa i përket situatës rrugore, në aksin Qafë Thorë–Theth janë kryer ndërhyrje nga firmat e mirëmbajtjes për largimin e gurëve dhe materialeve inerte të rëna në rrugë. Sipas Prefekturës, të gjitha akset rrugore në qark janë aktualisht të kalueshme.
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në koordinim me bashkitë dhe strukturat përgjegjëse, vijon monitorimin e situatës dhe mbajtjen në gatishmëri të ekipeve operacionale.










