Kampioni francez po shqyrton mundësinë e transferimit të sulmuesit anglez nga Fenerbahçe, në mënyrë që të përforcojë repartin ofensiv pas lëndimeve të Khvicha Kvaratskhelias dhe Desire Doue. Megjithatë, në garë për shërbimet e tij është edhe Atletico Madridi, i cili prej kohësh e ka në listën e dëshirave.

Sipas gazetarit Ekrem Konur, drejtuesit e PSG-së po e vlerësojnë seriozisht mundësinë e transferimit të Mason Greenwoodit, pasi trajneri Luis Enrique ka nevojë për alternativa në repartin ofensiv.


Njohja e futbollit francez, ku anglezi kaloi dy sezone te Olympique Marseille, shihet si një prej përparësive të tij.

Greenwood, 25-vjeçar, u largua nga Marseille verën e kaluar, pasi klubi francez arriti marrëveshje me Fenerbahçen për transferimin e tij në vlerë prej 39 milionë eurosh.

Megjithatë, vetëm katër muaj pas kalimit në Stamboll, e ardhmja e tij ka nisur të jetë sërish temë diskutimi në tregun e transferimeve.

Sulmuesi anglez mund të luajë në të dy krahët e repartit ofensiv, por edhe pas sulmuesit kryesor, duke i ofruar Luis Enriques disa alternativa taktike. Gjatë qëndrimit te Marseille, ai zhvilloi 81 ndeshje zyrtare, në të cilat shënoi 48 gola dhe regjistroi 17 asistime.

Edhe në aventurën e re në Turqi, Greenwood po vazhdon me paraqitje të mira. Në 11 ndeshje kampionale me Fenerbahçen, ai ka realizuar shtatë gola dhe ka dhuruar tri asistime, ndërsa ka lënë gjurmë edhe në Ligën e Kampionëve.

Anglezi shënoi kundër Liverpoolit në fitoren 3-2 më 4 nëntor, ndërsa katër ditë më vonë realizoi dy gola në përballjen ndaj Çorumit. Forma e tij ka bërë që emri të rikthehet në mesin e objektivave të klubeve të mëdha evropiane.

Megjithatë, Fenerbahçe nuk duket e gatshme të heqë dorë lehtësisht nga shërbimet e sulmuesit. Greenwood ka kontratë me klubin turk deri në qershor të vitit 2030, çka i jep Fenerbahçes një pozitë të favorshme në negociata.

Sipas raportimeve nga Turqia, drejtuesit e klubit nuk kanë ndërmend ta shesin futbollistin gjatë afatit kalimtar të janarit. Vetëm një ofertë jashtëzakonisht e lartë, që do t'ua mundësonte të përfitonin ndjeshëm nga investimi i bërë për transferimin e tij, mund t'i ndryshonte planet e tyre.

Në anën tjetër, Atletico Madridi vazhdon ta ketë Greenwoodin në radar. Skuadra e Diego Simeones kishte shfaqur interesim për të edhe gjatë verës së kaluar, por në fund u tërhoq nga gara, për shkak të konkurrencës financiare të Fenerbahçes.

Trajneri argjentinas e njeh mirë potencialin e sulmuesit anglez, pasi Greenwood kishte luajtur në La Liga me fanellën e Getafes gjatë sezonit 2023/24. Në atë periudhë, ai realizoi 10 gola dhe kontribuoi me gjashtë asistime në 36 paraqitje zyrtare.

Afati kalimtar i janarit pritet të qartësojë nëse PSG-ja do të konkretizojë interesimin me një ofertë zyrtare.

Për momentin nuk raportohet për ndonjë propozim konkret nga klubi francez, ndërsa Fenerbahçe mbetet e vendosur të mos e lejojë largimin e një prej futbollistëve të saj ofensivë pa një ofertë bindëse. /Telegrafi/