Sot, një vit nga humbja e Shpat Kasapit, familja organizon mbrëmje përkujtimore në nder të këngëtarit
Ka kaluar një vit nga ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit të njohur Shpat Kasapi, një prej artistëve që la gjurmë në muzikën shqiptare.
Artisti u nda nga jeta më 26 nëntor 2025, në moshën 40-vjeçare, në Itali, pas një arresti kardiak. Lajmi i papritur tronditi familjarët, miqtë, kolegët dhe publikun që e kishte ndjekur gjatë karrierës së tij muzikore.
I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, Shpat Kasapi e nisi rrugëtimin artistik që në moshë të re dhe, falë zërit, energjisë dhe stilit të tij, u bë një nga emrat më të dashur të muzikës pop shqiptare.
Gjatë më shumë se dy dekadave në skenë, ai solli këngë që u kthyen në hite dhe vazhdojnë të dëgjohen edhe sot, mes tyre “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit” dhe “Aroma e saj”.
Përveç trashëgimisë muzikore, Shpati la pas bashkëshorten Selvijen dhe djalin e tyre, Roel.
Në përkujtim të jetës dhe karrierës së tij artistike, familja ka organizuar një mbrëmje përkujtimore më 29 nëntor, në Pallatin e Kulturës në Tetovë. Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë familjarë, miq, kolegë dhe admirues të këngëtarit.
Një vit pas largimit të tij, këngët dhe kujtimet e Shpat Kasapit mbeten pjesë e pandashme e muzikës shqiptare, duke dëshmuar lidhjen e veçantë që ai krijoi me publikun.




