Sejko: Lidhjet ekonomike me BE-në kanë mbështetur transformimin, por na ekspozojnë ndaj rreziqeve

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në seminarin e Këshillit të Përgjithshëm të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), i cili mblodhi në Frankfurt guvernatorë të bankave qendrore të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të vendeve kandidate dhe atyre potencialisht kandidate për anëtarësim.
Seminari, i hapur nga Zëvendëspresidenti i BQE-së, z. Boris Vujčić, u përqendrua në lidhjet ekonomike dhe financiare të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate me Bashkimin Evropian dhe zonën e euros, si dhe në mënyrën se si goditjet ekonomike transmetohen ndërmjet tyre. Pjesëmarrësit shkëmbyen pikëpamje mbi sfidat e përbashkëta, përfshirë goditjet në çmimet e energjisë, pasiguritë gjeopolitike dhe zhvillimet e inteligjencës artificiale.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko paraqiti përvojën e Shqipërisë dhe theksoi se lidhjet ekonomike dhe financiare me Bashkimin Evropian kanë mbështetur transformimin e ekonomisë shqiptare, rritjen e punësimit dhe përafrimin me ekonomitë evropiane. Ai vuri në dukje se afro 3/4 e eksporteve shqiptare të mallrave shkojnë drejt tregjeve të BE-së, e cila është gjithashtu burimi kryesor i investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Ai shtoi gjithashtu se grupet bankare të BE-së kanë një prani të konsiderueshme në sistemin financiar shqiptar.
Guvernatori Sejko theksoi se lidhjet ekonomike me vendet e tjera e rrisin ekspozimin ndaj goditjeve të jashtme, ndërsa ndikimi i tyre ndryshon sipas strukturës së secilës ekonomi. Duke iu referuar përvojës së Shqipërisë, ai nënvizoi se mbështetja te hidroenergjia për prodhimin vendas të energjisë elektrike zbuti ndikimin e goditjeve të fundit energjetike, ndërsa forcimi i Lekut ndihmoi në kufizimin e përçimit të inflacionit të importuar në çmimet e brendshme.
Në këtë kontekst, ai evidentoi se kuadri i shënjestrimit të inflacionit dhe regjimi i kursit të lirë të këmbimit i kanë dhënë Bankës së Shqipërisë hapësirën për të përshtatur politikën monetare me kushtet e ekonomisë vendase, në funksion të ruajtjes së objektivit të saj kryesor, atë të stabilitetit të çmimeve.
Gjatë seminarit, vëmendje e veçantë nga të gjithë pjesëmarrësit iu kushtua dhe pavarësisë së bankave qendrore. U theksua se kjo pavarësi u mundëson atyre të marrin vendime në përputhje me mandatin institucional dhe mbi bazën e analizave ekonomike, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.
Guvernatori Sejko mori pjesë gjithashtu në takimin e guvernatorëve të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate me z. Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQE-së. Diskutimet u përqendruan te zhvillimet në sistemet e pagesave, me vëmendje të veçantë te pagesat e menjëhershme (IPSA), Zona Unike e Pagesave në Euro (SEPA), Euroja digjitale dhe nismat e Eurosistemit për shlyerjen e transaksioneve financiare me vlerë të madhe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









