Kuvajti intercepton dronët iranianë, devijohen fluturimet civile në rajon
Ushtria e Kuvajtit njoftoi se katër persona janë plagosur pasi disa dronë iranianë, të cilësuar si “armiqësorë”, u zbuluan dhe u interceptuan në hapësirën ajrore të vendit.
Sulmi shkaktoi edhe devijimin e fluturimeve civile në një korridor të rëndësishëm ajror që lidh Evropën me rajonin e Gjirit dhe Azinë. Të enjten pasdite, avionët që kalonin përmes Irakut në drejtim të Gjirit morën udhëzime të reja për të ndryshuar itinerarin dhe për të shmangur hapësirën ajrore të Kuvajtit.
Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit bëri të ditur se dronët iranianë kishin shënjestruar një objekt me rëndësi strategjike, transmeton Telegrafi.
“Agresioni iranian shënjestroi një objekt jetik, duke shkaktuar rënien e copëzave të cilat plagosën katër persona”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Të plagosurit u dërguan në spital për trajtim, ndërsa incidenti shkaktoi edhe dëme materiale, përmasat e të cilave nuk u bënë të ditura.
Që nga shpërthimi i luftës në Iran, në fund të shkurtit, shumica e fluturimeve ndërkombëtare nga Evropa drejt qendrave të mëdha ajrore si Doha, Abu Dhabi dhe Dubai kanë përdorur një korridor që kalon përmes Turqisë, Irakut, Kuvajtit, Bahreinit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.
Pas raportimeve për mbylljen e hapësirës ajrore të Kuvajtit, avionëve në këtë korridor iu dhanë udhëzime për të ndryshuar drejtimin. Ata kryen një kthesë të fortë para se të arrinin hapësirën ajrore të vendit, duke bërë që i gjithë korridori ndërkombëtar të zhvendosej drejt shteteve fqinje. Në mesin e avionëve të devijuar ishte edhe një fluturim me të cilin udhëtonin gazetarë të Euronews.
Sulmi me dronë në Kuvajt ndodhi një ditë pasi Ambasada Virtuale e SHBA-së në Iran paralajmëroi se Teherani, rebelët Huthi në Jemen dhe grupe të tjera të lidhura me ta mund të shënjestrojnë interesat dhe qytetarët amerikanë në rajon, përfshirë kompani dhe institucione.
Uashingtoni u bëri thirrje qytetarëve amerikanë në Lindjen e Mesme të tregojnë kujdes të shtuar, pas sulmeve iraniane ndaj objekteve amerikane në Bahrein dhe Kuvajt, si dhe një sulmi të forcave Huthi ndaj një kulle në distriktin financiar të Riadit, ku u plagosën 11 persona.
Qytetarëve amerikanë në rajon iu kërkua të përcjellin njoftimet për operacionet e linjave ajrore dhe aeroporteve, si dhe të përgatiten për anulime të mundshme të fluturimeve dhe mbyllje të hapësirave ajrore.
Ndërkohë, avionët që fluturojnë drejt vendeve të Gjirit zakonisht mbajnë sasi shtesë karburanti për raste emergjente, në mënyrë që të mund të devijojnë drejt aeroporteve të tjera ose të qëndrojnë në pritje pranë destinacioneve në rast të mbylljes së aeroporteve dhe hapësirave ajrore për shkak të aktiviteteve ushtarake. /Telegrafi/





























