Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore po shkon drejt përfundimit të afatit ligjor pa asnjë produkt konkret, pasi socialistët refuzuan të enjten kërkesën e Partisë Demokratike për zgjatjen e afatit të tij përtej 30 nëntorit.
Gati një vit pas krijimit, komisioni vendosi të kërkojë ndihmë me ekspertë nga zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ODIHR, për të realizuar adaptimin në ligjin zgjedhor të rekomandimeve të këtij institucioni.
Por ODIHR iu përgjigj me rezerva kërkesës së vonuar duke iu vënë në dukje bashkëkryetarëve Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi afatin e shkurtër të njoftimit dhe duke kërkuar sqarime mbi objektin e punës dhe kohëzgjatjen reale të këtij mekanizmi parlamentar, përpara se të angazhojë ekspertë.
Në tekstin e emailit që BIRN e disponon, ODIHR kërkon sqarime për afatet e parashikuara për angazhimin e ekspertëve, etapat kryesore dhe datën e pritshme për finalizimin e drafteve legjislative. Po ashtu kërkon të njihet me draft-dokumente dhe çështje konkrete për të cilat kërkohet kontributi, përfshirë rekomandimet e ODIHR-it që komisioni synon të trajtojë.
Dhe në fund ata ngrenë pikpyetje mbi afatin e funksionimit të komisionit apo nëse do të ketë zgjatje të afatit.
“Duke pasur parasysh kohën e kufizuar në dispozicion, do ta vlerësonim një përgjigje sa më të shpejtë lidhur me këto pika, në mënyrë që të mund të identifikojmë formën më të përshtatshme të mbështetjes,” përfundon letra e zyrës së ODIHR.
Ndërkohë, dy ekspertë të Komisionit të Venecias kanë mbërritur në Tiranë pas një kërkese për asistencë të drejtuar në emër të komisionit nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
Ekspertët Michael Janseen dhe Adrià Rodríguez-Pérez u takuan fillimisht me grupin e ekspertëve shqiptarë të komisionit, me të cilët diskutuan mbi draftin e hartuar mbi Projektligjin e ri për Financimin e Partive Politike.
Një draft konsensual i prezantuar në verë u prit me kritika, por drafti i rishikuar i kësaj nisme, sipas komisionit, ka marrë në konsideratë rekomandime nga organizatat e shoqërisë civile, partitë politike dhe opinionet e ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
“Diskutimi i sotëm u përqëndrua tek optimizimi i përmbajtjes së këtij drafti, në frymën e rekomandimeve të dhëna, me synim rritjen e transparencës në financimin e subjekteve politike në periudhën jashtë zgjedhjeve ndërsa periudha elektorale do të trajtohet më vete në Kodin Zgjedhor,” thuhet njoftimin e Kuvendit për këtë takim
Bashkëkryetari demokrat, Oerd Bylykbashi fajësoji mazhorancën socialiste se ka keqdrejtuar kërkesën për asistencë ndaj Komisionit të Venecias, duke e kufizuar atë vetëm te ligji për financimin e partive politike dhe kërkoi që Kuvendi të votojë për zgjatjen e afatit të komisionit.
Ai tha se opozita ka dorëzuar propozimet e saj për rekomandimet e ODIHR-it, por akuzoi PS-në se ka skenar për ta ‘vrarë’ këtë reformë.
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, refuzoi zgjatjen e afatit, duke e cilësuar 30 nëntorin si kufirin e fundit kohor për këtë komision.
“Pas datës 30, ju s’keni të drejtë të merrni peng axhendën europiane, axhendën e shqiptarëve. Ftesa është aty. Uluni sot, nesër, pasnesër, të dielën. Punoni me seriozitet,” tha Balla në Kuvend të enjten.
Por ai paralajmëroi se pas skadimit të këtij afati, mazhoranca mund të ngrejë një tjetër komision për reformën zgjedhore, para ose pas zgjedhjeve.






