Nga titullar në kampionat, jashtë listës në Europë/ Çfarë po ndodh me Ernest Muçin?
Ernest Muçi është përfshirë në një situatë të papritur te Trabzonspor. Pavarësisht se sulmuesi shqiptar ishte titullar dhe luajti për 90 minuta në ndeshjen e fundit të kampionatit, trajneri i skuadrës turke ka vendosur të mos e përfshijë atë në listën e futbollistëve për transfertën ndaj CSKA Sofia, në kuadër të Conference League.
Një vendim që vjen në një moment kur emri i 24-vjeçarit po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në merkaton ndërkombëtare, veçanërisht në Itali.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, Muçi është kthyer në një objektiv të mundshëm për dy klubet e kryeqytetit, Romën dhe Lazion, të cilat po monitorojnë situatën e tij në Turqi.
Roma thuhet se ka dërguar përfaqësues për ta ndjekur nga afër futbollistin shqiptar në ndeshjen kundër Eyupspor, ndërsa në garë është përfshirë edhe Lazio, që po kërkon alternativa për të përforcuar repartin ofensiv gjatë merkatos së janarit.
Interesi i klubeve italiane vjen në një periudhë të rëndësishme për karrierën e Muçit, i cili mund të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos së dimrit.
Për momentin, nuk ka një ofertë zyrtare të konfirmuar, por interesimi nga Roma dhe Lazio e bën të ardhmen e sulmuesit kuqezi një nga çështjet për t’u ndjekur me vëmendje.




