Slavia Praga ka hyrë në historinë e Champions League, por në një mënyrë që askush në klub nuk do të dëshironte. Humbja 1-0 në shtëpi ndaj Villarrealit i ka dhënë skuadrës çeke një rekord absolut negativ në historinë e Kupës së Kampionëve dhe Champions League.
Me këtë rezultat, Slavia Praga ka regjistruar 24 ndeshje radhazi pa arritur të fitojë në kompeticionin më prestigjioz për klube në Evropë, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 23 takimesh pa triumf.
Ky rekord mbahej nga AEK Athinë, që nuk arriti të fitonte asnjë ndeshje në periudhën 1989-2006, si dhe nga Steaua e Bukureshtit (FCSB), e cila regjistroi të njëjtën seri negative nga viti 2006 deri në vitin 2013.
Seria e errët e klubit nga Praga ka nisur që në vitin 2007 dhe është shtrirë deri në ditët e sotme. Gjatë kësaj periudhe, çekët kanë marrë disa rezultate barazimi ndaj kundërshtarëve të mëdhenj, si Barcelona, Interi dhe Atalanta, por nuk kanë arritur të thyejnë mallkimin e fitores.
Në krahun tjetër, në këtë ecuri përfshihen edhe humbje ndaj emrave të njohur të futbollit evropian, si Arsenali, Borussia Dortmundi, Sevilla dhe Tottenham. Një statistikë aspak pozitive për Slavia Pragën, e cila tashmë mban e vetme rekordin më të keq në historinë e kompeticionit, me 24 ndeshje radhazi pa fitore.
