Demokratët kërkojnë që zgjedhjet lokale të zhvillohen mbi bazën e ndarjes së vjetër administrative dhe jo sipas territorit të ri. Gjashtë muaj pas betejës së pranverës, harta e re territoriale është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa grupi parlamentar demokrat ka konstatuar katër shkelje kushtetuese lidhur me miratimin e ligjit.
Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, pretendon se ligji është miratuar me vetëm 82 vota të vlefshme dhe jo me 85, duke pretenduar se disponon prova se në vend të deputetes Mirela Kumbaro ka votuar një punonjëse e administratës. Ai pretendon gjithashtu se deputetët Zegjine Çaushi dhe Tedi Mula kanë marrë mandatin në kundërshtim me procedurat ligjore. Bazuar në këto pretendime, demokratët kërkojnë shfuqizimin e plotë të ligjit, pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të tij dhe shqyrtim me përparësi të çështjes, për shkak të interesit publik dhe afërsisë së zgjedhjeve vendore, të dekretuara për 9 maj 2027.
Argumenti për pezullim lidhet me rrezikun organizativ: nëse përgatitjet për zgjedhjet fillojnë mbi bazën e hartës së re me 46 bashki, por Gjykata Kushtetuese më pas shfuqizon ligjin, mund të mos ketë kohë të mjaftueshme për organizimin e zgjedhjeve në 61 bashkitë ekzistuese. Kjo pamundësi organizative është arsyeja që opozita kërkon ndalimin e menjëhershëm të zbatimit të hartës së re.
Për kontekst, miratimi i hartës së reformës së re administrativo-territoriale ndodhi në mesnatën e 8 tetorit gjatë një seance të tensionuar, kur socialistët, me mbështetjen e tre votave të socialdemokratëve të Tom Doshit, arritën të miratonin ligjin me 85 vota. Miratimit i paraprinë kundërshtimet e opozitës dhe protesta të qytetarëve jashtë dyerve të Kuvendit. (Top Channel)
