Partia Demokratike njoftoi se ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese hartën e re territoriale, që uli në 46 numrin e bashkive.

Në padinë e firmosur nga 30 deputetë të opozitës, kërkohet shfuqizimi dhe pezullimi i ligjit, ndërsa renditen të paktën 4 argumente që sipas Partisë Demokratike e bëjnë antikushtetuese reformën administrativo-territoriale.

Së pari, PD thotë se mungon dokumentimi i marrjes së mendimit të banorëve në 46 nga 61 bashki.

Së dyti në padi thuhet se cenohet autonomia vendore, dhe siguria juridike pasi bie ndesh dhe krijon përplasje me kodin aktual zgjedhor.

Sipas PD 3 vota për miratimin e ligjit nuk janë të vlefshme:

“Ligji u deklarua i miratuar me 85 vota, por referohen prova se në vend të deputetes Mirela Kumbaro ka votuar një punonjëse e administratës së Kuvendit, ndërsa deputetët Zeqine Çaushi dhe Tedi Mula kanë marrë mandatin në kundërshtim me procedurat kushtetuese dhe ligjore”, thotë PD teksa i bën thirrje Gjykatës të marrë vendim shpejt nisur nga afërsia e zgjedhjeve për kryearët e bashkive më 9 maj.