Një 25-vjeçar nga Elbasani është arrestuar në flagrancë në Shkodër, nën dyshimin se shiste lëndë narkotike në doza pranë ambienteve shkollore. Operacioni u realizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të aksionit të koduar “Shkolla të Pastra”. Gjatë ndërhyrjes u vu në pranga shtetasi E. H., 25 vjeç, i cili u kap pranë perimetrit të sigurisë së shkollave në qytetin e Shkodrës. Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti të riut dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, të cilat u sekuestruan si provë materiale, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.